Ylli brazilian, Vinícius Júnior e ka bërë të qartë se fokusi i tij i vetëm në këtë moment është Kombëtarja e Brazilit dhe aventura në Botërorin 2026.
I pyetur për çështje që lidhen me të ardhmen e tij te Real Madridi, sulmuesi e shmangu çdo debat, duke theksuar se nuk është koha për të folur për klubin.
“Jam i përqendruar plotësisht te Brazili. Për Real Madridin do të kemi kohë të flasim pas Botërorit. Tani dua të mendoj vetëm për kombëtaren dhe për objektivat që i kemi në këtë turne”, deklaroi Vinicius, përcjell “Gazeta Express”.
Braziliani konsiderohet njëri nga lojtarët kyç të skuadrës së drejtuar nga Carlo Ancelotti, ndërsa pritet ta ketë një rol vendimtar në përpjekjen e “Seleçaos” për ta fituar titullin e gjashtë botëror.
Deklarata e tij vjen mes spekulimeve të shumta për të ardhmen dhe rinovimin e kontratës me Real Madridin, por 25-vjeçari preferoi ta lërë mënjanë çdo diskutim jashtë Botërorit. /Gazeta Express