Paris Saint-Germain po shqyrton mundësinë e transferimit të Ferran Torresit gjatë afatit kalimtar veror, por gjithçka lidhet me të ardhmen e Bradley Barcolas në klubin francez.
Sipas raportimit të gazetarit të njohur italian, Gianluca Di Marzio, kampionët e Francës e kanë përfshirë sulmuesin e FC Barcelona në listën e alternativave që po monitorojnë për repartin ofensiv.
Burimet bëjnë të ditur se PSG do të intensifikojë interesimin për reprezentuesin spanjoll vetëm në rast se Bradley Barcola largohet nga “Parc des Princes” gjatë kësaj vere. Drejtuesit parisienë po përgatiten për çdo skenar dhe Ferran Torres konsiderohet një profil që mund të përshtatet me projektin sportiv të klubit.
Torres ka qenë një pjesë e rëndësishme e skuadrës së Barcelonës në sezonet e fundit, duke treguar fleksibilitet në repartin ofensiv, pasi mund të luajë në disa pozita të sulmit. Kjo karakteristikë e bën atë një opsion tërheqës për PSG-në, e cila po vlerëson alternativat në rast të ndryshimeve në skuadër.
Megjithatë, deri më tani nuk ka negociata konkrete mes palëve, pasi prioriteti i PSG-së mbetet sqarimi i situatës së Barcolas. Vetëm pas një largimi të mundshëm të francezit, klubi do të vendosë nëse do të avancojë për Ferran Torresin.