Aston Villa ka vendosur një çmim rekord prej 130 milionë paundësh për Morgan Rogers, mes interesimit në rritje nga Arsenali dhe Chelsea për yllin anglez.
Aston Villa nuk lëshon pe
Sipas The Telegraph, drejtuesit e Aston Villas u kanë bërë të qartë klubeve të interesuara se Rogers nuk do të largohet nga “Villa Park” për më pak se 130 milionë paund.
Nëse realizohet një transferim me këtë shumë, ai do të bëhej lojtari britanik më i shtrenjtë në histori, duke kaluar rekordin aktual prej 125 milionë paundësh që Liverpool pagoi për Alexander Isak verën e kaluar.
Pse kaq i lartë çmimi?
Villa beson se Rogers vlen më shumë se Elliot Anderson, i cili u transferua te Manchester City për 116 milionë paund.
Klubi argumenton se 23-vjeçari ka më shumë përvojë me kombëtaren angleze dhe ka treguar vazhdimësi edhe në garat evropiane.
Një tjetër arsye është klauzola që Middlesbrough zotëron nga shitja e tij në vitin 2024. Klubi do të përfitojë 20 për qind nga një transferim i ardhshëm, çka ka ndikuar që Aston Villa ta rrisë ndjeshëm çmimin.
Arsenali e ka prioritet
Morgan Rogers është një nga objektivat kryesorë të Mikel Artetës për këtë merkato.
Trajneri i Arsenalit dëshiron të shtojë cilësi në repartin ofensiv dhe e sheh reprezentuesin anglez si një përforcim ideal për sezonin e ri.
Megjithatë, me kontratën e Rogers që zgjat deri në vitin 2031, Aston Villa nuk ka asnjë presion për ta shitur, duke e vënë Arsenalin përballë një vendimi të vështirë nëse dëshiron të përmbushë kërkesat financiare të klubit.

Martinelli mund të përfshihet në marrëveshje
Sipas raportimeve, trajneri i Aston Villas, Unai Emery, vazhdon të jetë admirues i Gabriel Martinellit, me të cilin ka punuar gjatë kohës sa drejtonte Arsenalin.
Braziliani mund të jetë pjesë e diskutimeve mes dy klubeve, megjithëse paga e tij e lartë mund ta komplikojë një marrëveshje të mundshme.
Ndërkohë, Chelsea mbetet gjithashtu në garë për Morgan Rogers, duke e bërë sulmuesin anglez një nga emrat më të kërkuar të kësaj merkatoje. /GazetaExpress/