Vapa rekorde vë në provë gatishmërinë e Gjermanisë - Gazeta Express
string(50) "vapa-rekorde-ve-ne-prove-gatishmerine-e-gjermanise"

Lajme

Gazeta Express

30/06/2026 11:13

Vapa rekorde vë në provë gatishmërinë e Gjermanisë

Lajme

Gazeta Express

30/06/2026 11:13

Thirrjet për masa më të forta mbrojtëse nga temperaturat ekstreme janë bërë më të zëshme në Gjermani, pasi fundjava me vapë rekorde ka shkaktuar probleme në spitale dhe shtëpi të kujdesit, ka dëmtuar infrastrukturën rrugore dhe ka penguar qarkullimin hekurudhor.

Qeveria federale tha se përgjegjësia për përballimin e situatës u takon landeve dhe autoriteteve lokale, por Katharina Droge, kryetare e grupit parlamentar të Partisë së Gjelbër në Bundestag, akuzoi Qeverinë e kancelarit Friedrich Merz se nuk ka ndërmarrë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga i nxehti ekstrem.

“Friedrich Merz mund ta injorojë vapën nga kancelaria me ajër të kondicionuar, por infermierët në spitale nuk munden”, tha Droge për transmetuesin publik ARD.

“Ata punojnë në temperatura përvëluese, ndërsa të moshuarit në shtëpitë e kujdesit vuajnë, sepse nuk ka ajër të kondicionuar. Prandaj, kemi kërkuar që të ndërmerren masa urgjente”, tha ajo.

Pasi temperaturat në lindje të Gjermanisë arritën rekordin prej 41.7 gradësh Celsius, Droge kërkoi që spitalet, shtëpitë e kujdesit, çerdhet dhe shkollat të pajisen sa më shpejt me sisteme të ajrit të kondicionuar.

Ajo propozoi gjithashtu subvencionimin e pajisjeve të ajrit të kondicionuar që funksionojnë me energji nga panelet diellore.

“Në verë, panelet diellore prodhojnë aq shumë energji elektrike të lirë, saqë përdorimi i ajrit të kondicionuar në kombinim me to është plotësisht i realizueshëm”, tha ajo.

Droge kërkoi edhe mbjelljen e më shumë pemëve dhe shkurreve në qytete, duke theksuar se një pemë mund të ketë efekt ftohës sa disa pajisje të ajrit të kondicionuar.

Sipas saj, valët rekorde të të nxehtit tashmë janë bërë realitet dhe Gjermania duhet të përshtatet me pasojat e ndryshimeve klimatike.

“Nëse nuk veprojmë tani për mbrojtjen e klimës, pas 20 vjetësh do t’i kujtojmë këto vera si të freskëta”, tha ajo.

Qershori i dytë më i nxehtë në histori; dhjetëra viktima nga mbytja

Përveç rekordit të ri të temperaturës të regjistruar gjatë fundjavës, Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) njoftoi të hënën se qershori i vitit 2026 ishte qershori i dytë më i nxehtë që nga fillimi i matjeve.

Shoqata Gjermane për Shpëtim në Ujë (DLRG) bëri të ditur se të paktën 26 persona – të gjithë burra dhe djem – u mbytën gjatë fundjavës teksa laheshin.

Kreu i grupit parlamentar të partisë E Majta, Soren Pellmann, tha se autoritetet lokale nuk duhet ta mbajnë të vetme barrën financiare të masave për mbrojtjen nga temperaturat ekstreme.

Qeveria mbron planet e saj

Ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider, tha se në fillim të këtij mandati Qeveria federale ka vënë në dispozicion 100 miliardë euro nga fondi i posaçëm për infrastrukturën për landet dhe autoritetet lokale.

“Mendoj se kjo është e mjaftueshme për t’i financuar këto masa”, tha politikani socialdemokrat për radion publike Deutschlandfunk, duke iu referuar edhe kërkesave për pajisjen e ndërtesave publike me sisteme të ajrit të kondicionuar që furnizohen me energji diellore.

Valë e të nxehtit ekstrem mbërthen qytetet e Evropës

Schneider shtoi se po punon për sigurimin e bashkëfinancimit federal në vitet e ardhshme, ndërsa prioritete kryesore janë: shtimi i hapësirave të gjelbra në qytete, mbjellja e pemëve dhe vendosja e burimeve publike të ujit të pijshëm.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat në Evropë nuk janë ndërtuar për temperatura aq ekstreme.

Sipas tij, që nga 21 qershori, në Evropë janë regjistruar mbi 1.300 vdekje të lidhura me vapën.

Vapa godet shtëpitë e kujdesit dhe spitalet

Në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit në Dormagen dhe Krefeld, në landin e Nordrhajn-Vestfalenit të Gjermanisë, shumë banorë u evakuuan të shtunën nga pjesët e nxehta të ndërtesave, pasi shfaqën probleme shëndetësore.

Anëtari i bordit të Fondacionit Gjerman për Mbrojtjen e Pacientëve, Eugen Brysch, tha se deri vitin e ardhshëm duhet të nisë një investim mbarëkombëtar prej 30 miliardë eurosh për mbrojtjen e spitaleve dhe qendrave të kujdesit nga temperaturat ekstreme.

Sipas tij, sistemet e ajrit të kondicionuar që funksionojnë me energji diellore janë “zgjidhje efektive”.

“Në vend që t’ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit, Qeveria federale, landet dhe autoritetet lokale duhet të veprojnë së bashku”, tha Brysch.

Ai shtoi se Qeveria federale duhet t’i mbulojë plotësisht kostot, pasi komunat, spitalet dhe qendrat e kujdesit nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare.

Edhe Shoqata Gjermane e Spitaleve vlerësoi se fondet ekzistuese nuk janë të mjaftueshme dhe paralajmëroi se në të ardhmen pritet rritje e numrit të pacientëve me probleme të shkaktuara nga temperaturat e larta.

Ministria Federale e Shëndetësisë tha se tashmë ekziston një plan kombëtar për mbrojtjen nga vapa, i mbështetur nga një fond prej 29 miliardë eurosh.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe që na lejojnë kompetencat tona, por nuk mund ta ndryshojmë strukturën federale të vendit”, tha një zëdhënëse e ministrisë.

Vala e të nxehtit nuk goditi vetëm Gjermaninë.

Gjatë fundjavës, temperatura rekorde u regjistruan në disa vende të Evropës, përfshirë Poloninë dhe Çekinë, ku termometri arriti ose kaloi 40 gradë Celsius.

Moti nisi të ndryshojë të hënën në mbrëmje, me stuhi dhe reshje të shumta shiu në disa zona./REL/

Advertisement
Advertisement
Advertisement