Vdiq ish-futbollisti Sadik Rrahmani - Gazeta Express
string(35) "vdiq-ish-futbollisti-sadik-rrahmani"

Vdiq ish-futbollisti Sadik Rrahmani

Sport

Gazeta Express

19/03/2023 11:05

Ish-futbollisti i njohur, Sadik Rrahmani, vdiq këtë të diel.

Lajmi u bë i ditur nga ish-klubi i tij, KF Trepça ’89, por edhe nga Federata e Futbollit e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Pas mbylljes së karrierës si futbollist, Rrahmani kishte vazhduar kontributin e tij edhe si gjyqtar. Ai ishte pjesë edhe e Komisionit të delegimit të gjyqtarëve në Federatën e Futbollit e Kosovës.

Në vitet e fundit, Sadik Rrahmani dha kontributin e tij edhe si trajner te grupmoshat e reja te Trepça ’89.

Në telegram ngushëllimin e tij, presidenti i klubit mitrovicas, Abedin Zeka, mes tjerash bëri të ditur se sot para ndeshjes ndaj Dukagjinit, do të ketë një minutë heshtje në nderim të Rrahmanit.

Ndërsa, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në telegram ngushëllimi shkroi: “Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Sadik Rrahmani, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta. Sadik Rrahmani si futbollist u shqua me talentin dhe lojën e tij të jashtëzakonshme në fanellën e Trepçës dhe atë të Prishtinës, por edhe disa klubeve tjera, teksa pas përfundimit të karrierës si lojtar i shërbeu futbollit tonë me përkushtim edhe si gjyqtar. Me profesionalizmin dhe autoritetin e tij, Sadiku edhe si gjyqtar ishte ndër më të respektuarit në vendin tonë. Në vitet e fundit, ai dha kontributin e tij si anëtar në Komisionin e delegimit të gjyqtarëve në FFK, duke ndihmuar në rritjen e standardit të ndarjes së drejtësisë në futbollin tonë, teksa përvojën e tij si futbollist e barti tek gjeneratat e reja të Trepçës’89 edhe si trajner. Vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin e futbollit në përgjithësi. Vepra dhe kontributi i tij do të kujtohen gjithmonë dhe do të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e reja. Sadiku ishte njeri i urtë, punëtor i palodhshëm dhe personalitet me vlera të mëdha humane, andaj si i tillë do të kujtohet përherë. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”. /Gazeta Express/