Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, është duke vazhduar procesi i verifikimit dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ’së, për Gazetën Express, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri më tani, janë proceduar 214 nga 262 vendvotime të kësaj komune.
‘‘Deri më tani (e shtunë, 13 qershor 2026, ora 09:00) procesi i verifikimit dhe numërimit është duke vazhduar në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku janë proceduar 214 nga 262 vendvotimet e kësaj komune. Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,450 nga 2,498 vendvotime apo 98.08%’’, ka thënë Elezi.