Ushtria zvicerane po ndryshon sistemin e saj të logjistikës duke kaluar nga depot e mëdha qendrore në një model të decentralizuar, ku pajisjet ushtarake do të ruhen në bunkerë të shpërndarë në të gjithë territorin.
Ky ndryshim synon të rrisë sigurinë në rast të një sulmi të mundshëm, pasi depot qendrore konsiderohen objektiva më të lehta për t’u goditur. Për këtë arsye, ushtria planifikon të rikthejë në përdorim bunkerë të vjetër dhe t’i përshtatë ato për ruajtjen e municioneve, armëve, ushqimeve dhe pjesëve të këmbimit.
Kostoja e këtij projekti pritet të arrijë deri në 10 miliardë franga zvicerane gjatë 14 viteve të ardhshme. Vetëm rikthimi në funksion i një bunkeri të vjetër mund të kushtojë rreth 50 mijë franga, për shkak të problemeve me lagështinë, mykun dhe dëmtimet e tjera.
Reforma përfshin edhe ndryshime në transportin ushtarak. Duke u bazuar në mësimet nga lufta në Ukrainë, ushtria do të shmangë lëvizjen e kolonave të mëdha dhe do të përdorë rrugë e mjete më të shpërndara për të ulur rrezikun.
Kontrolli financiar federal i Zvicrës e ka shqyrtuar projektin dhe ka shprehur vetëm disa vërejtje, kryesisht për nevojën e përmirësimit të bashkëpunimit me zinxhirët civilë të furnizimit.
Ushtria zvicerane thotë se sistemi i ri do ta bëjë logjistikën më të qëndrueshme dhe më të aftë për të përballuar situata krizash./Albinfo.ch