Turpi nuk banon këtu - Gazeta Express
string(20) "turpi-nuk-banon-ketu"

OP/ED

Gazeta Express

03/03/2023 13:17

Turpi nuk banon këtu

OP/ED

Gazeta Express

03/03/2023 13:17

Pa pikën e marres PDK e LDK po e akuzojnë Albin Kutin për Asociacionin, ndërkohë që e kanë votuar vetë në Kuvend. E Kurti, po ashtu pa pikë marre, po përpiqet të shfajësohet për pranimin e Asociacionit, përderisa kauzën politike e ka ndërtuar duke kundërshtuar atë. Shumë tragjike, për të qenë komike.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Deputetë të opozitës nuk u kursyen, në orët e vona të së enjtes, që ta kritikojnë dhe ta sulmojnë kryeministrin Albin Kurti, për shkak të pranimit të planit franko-gjrman që përmban edhe aranzhimet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë, e që nënkupton krijimin e Asociacionit. Por, unë ndihesha me turp teksa dëgjoja plot nga ta që kundërshtonin krijimin e këtij entiteti, ndërkohë që vetë e kishin votuar në vitin 2013. Ose të tjerë, që atëbotë nuk kishin qenë deputetë, por që bëjnë pjesë në partitë liderët e të cilave, në cilësi të kryeministrave të vendit, vunë firmat në marrëveshje dhe e ratifikuan në Kuvend.

Duhet të mos kesh pikën e dinjitetit që të akuzosh dikë pse po krijon diçka, për të cilën je pajtuar me votën tënde. Duhet të mos e njohësh fare turpin, marren që të sulmosh dikë për themelimin e diçkaje, që dikur nuk e ke kundërshtuar. Por, ja që nuk është kështu.

Kur u nënshkrua marrëveshja “historike” e vitit 2013, ish-kryeministri Hashim Thaçi fliste për benefitet që do t’i sillte ajo. Por, në vitin 2019 ai thoshte se Asaciacioni nuk duhet të krijohet, sepse do të nënkuptonte një Republikë Serbe brenda Kosovës dhe ishte kancer për shtetin.

Ndërkaq Isa Mustafa, i cili nënshkroi marrëveshjen e parimeve për Asociacionin në vitin 2015, tash po përpiqet ta shfajësojë veten. Ai tash po thotë se Thaçi dhe Enver Hoxhaj kanë rrejtë për Asociacionin, duke aluduar në deklarimet e tyre se atë e kishte krijuar LDK’ja.

Ish-kryeministri Mustafa deklaroi se ai i ka nënshkruar vetëm parimet për themelimin e këtij entiteti. Por, pikërisht këto parime Gjykata Kushtetuese i shpalli jokushtetuese.

Në një situatë normale, më e mira që do të mund të bënin PDK dhe LDK, do të ishte të heshtnin për Asociacionin. Ose të insistonin që ai të themelohet, pasi që e kanë votuar në Kuvend.

Fort qesharake t’i dëgjosh këto dy parti teksa përpiqen që përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, t’ia mveshin dikujt tjetër. Duket se turpi nuk “banon” më brenda tyre.

* * *

Në përpjekje për t’iu përgjigjur akuzave të opozitës, Albin Kurti iu thoshte deputetëve se Lëvizja Vetëvendosje nuk e kishte ndryshuar qëndrimin për Asociacionin, por kishte ndryshuar strategji. Ndër vite, ai dhe Vetëvendosja janë deklaruar kundër çfarëdo entiteti që do të defunksionalizonte shtetin. Ndër vite kanë qenë kundër çfarëdo asociacioni – apo zajednice, siç e quanin – me e pa kompetenca ekzekutive. Kjo ishte ndër kauzat më të rëndësishme të partisë, që u shoqërua edhe me protesta e aksione të ndryshme.

Tash, si kryeministër, Kurti është pajtuar për aranzhimet për vetëmenaxhim të serbëve, që përkthehen në Asociacion, edhe pse po përpiqet të arsyetohet se nuk e ka pranuar një gjë të tillë.

Deklarimet e çdoditshme të diplomatëve amerikanë janë që Asociacioni të themelohet sa më shpejt. Është e vërtetë se fjala “asociacion” nuk përmendet në planin franko-gjerman, por kjo është pak e rëndësishme. Mund t’ia ndërrojnë edhe emrin, por thelbi mbetet i njëjtë.

Edhe Kurti, edhe opozita kanë mbetur pengje të së kaluarës. Kurti i deklarimeve e veprimeve kundër, kurse opozita e deklarimeve dhe veprimeve pro Asociacionit. Tashmë kur është e qartë se është koha e fundit që të ecet përpara në proces, pushtet e opozitë në Kosovë janë kapur në kurthin e të kaluarës, duke fajësuar kush ka më shumë përgjegjësi.

Opozita, madje, po e akuzon pushtetin se ka pranuar një marrëveshje, në të cilën nuk fuguron njohja reciproke. Thua se marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën, kur opozita ishte pushtet, e përmbanin njohjen dhe tash gjendja paska degraduar. Plot hipokrizi, e pak arsye e shëndoshë. Plot akuza për rivalët politikë, e pak marrje përgjegjësie.

Plani franko-gjrman është pranuar nga Kosova dhe tash gjithë vëmendja duhet fokusuar në aneksin për zbatimin e tij. Lëshimet që mund të jenë bërë në tekstin e marrëveshjes, nuk duhet lejuar të përsëriten gjatë zbatimit.