Trumpi largohet nga konferenca për gazetarë pasi pyetet për një gënjeshtër të përsëritur - Gazeta Express
string(88) "trumpi-largohet-nga-konferenca-per-gazetare-pasi-pyetet-per-nje-genjeshter-te-perseritur"

Trumpi largohet nga konferenca për gazetarë pasi pyetet për një gënjeshtër të përsëritur

Gazeta Express

09/08/2020 11:09

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është larguar papritmas nga një konferencë për gazetarë të shtunën pasi një gazetare e sfidoi atë në lidhje me një gënjeshtër rreth kujdesit shëndetësor për veteranët, të cilën ai e kishte përsëritur mbi 150 herë.

Duke folur në klubin e tij të golfit në Bedminster, kreu i Shtëpisë së Bardhë pretendoi përsëri se ai e ka miratuar programin e kujdesit shëndetësor për veteranët, duke thënë: “Ata janë përpjekur ta miratojnë këtë për dekada e dekada dhe asnjë president nuk ka mundur ta bëjë këtë dhe ne e bëmë.”

Lexo Edhe:

Në të vërtetë, ish-presidenti amerikan, Barack Obama, e kishte nënshkruar këtë ligj në vitin 2014. Ligji ishte inicuar nga dy senatorë që presidenti Trump i kishte kritikuar vazhdimisht – Bernie Sanders dhe John McCain, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Pse vazhdoni të thoni se ju e keni miratuar (programin) Zgjedhja e Veteranëve”, iu drejtua presidentit amerikan gazetarja e televizionit CBS, Paula Reid.

Përderisa Trumpi u mundua t’ia jepte fjalën një gazetari tjetër, Reid vazhdoi: “Ju thatë se e keni miratuar këtë program. Ai është miratuar në vitin 2014. Kjo ishte një deklaratë e rreme, zotëri.”

Trumpi u ndal për një çast dhe më pas tha: “Në rregull. Ju faleminderit shumë të gjithëve”, duke u larguar papritmas nga konferenca.

Dokumenti që Trumpi e ka nënshkruar është një ligj i vitit 2018, me të cilin u modifikuan dhe u zgjeruan kriteret për programin e kujdesit shëndetësor për veteranët. Trumpi ka pretenduar vazhdimisht se e ka krijuar këtë program vetë, pasi të tjerët, sipas tij, kishin dështuar për 50 vjet.