Trump thotë se bisedimet për paqe mund të rifillojnë së shpejti teksa bllokada vazhdon - Gazeta Express
string(86) "trump-thote-se-bisedimet-per-paqe-mund-te-rifillojne-se-shpejti-teksa-bllokada-vazhdon"

Gazeta Express

15/04/2026 16:32

Trump thotë se bisedimet për paqe mund të rifillojnë së shpejti teksa bllokada vazhdon

Gazeta Express

15/04/2026 16:32

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se bisedimet për paqe me Iranin mund të rifillojnë brenda një ose dy ditësh, ndërkohë që ushtria amerikane po pengon tregtinë detare të tij në përpjekje për ta detyruar Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave.

Trump urdhëroi vendosjen e bllokadës detare ndaj anijeve që shkojnë drejt Iranit ose vijnë nga portet iraniane, pasi SHBA-ja dhe Irani dështuan të arrinin marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi më 28 shkurt gjatë bisedimeve për paqe në Islamabad më 11-12 prill.

Në një intervistë për Fox Business News të mërkurën, Trump tha se mendon se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, theksoi në një konferencë javore për shtyp në Teheran se, që nga përfundimi i bisedimeve, Irani ka qenë në komunikim me Shtetet e Bashkuara përmes Pakistanit.

“Mendoj se [lufta] mund të përfundojë shumë shpejt. Do të marrë fund së shpejti”, tha Trump në intervistën për Fox.

Paraprakisht, Trump kishte thënë për New York Post se negociatorët mund të takohen sërish brenda disa ditësh.

Por, armëpushimi dyjavor i arritur mes SHBA-së dhe Iranit më 7 prill po shkon drejt përfundimit dhe Trumpi tha se nuk e ka ndër mend ta zgjasë marrëveshjen për të.

Thuhet se Pakistani po përpiqet ta ndërmjetësojë një rund të ri bisedimesh, ndërsa nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili udhëhoqi delegacionin amerikan në rundin e parë, ngriti mundësinë e takimeve të tjera duke thënë se ishte arritur “shumë përparim” gjatë bisedimeve të 11-12 prillit.

“Topi është në fushën e Iranit”, sipas Vance, i cili tha se mosmarrëveshjet mbi programin bërthamor të Iranit përfundimisht çuan në dështimin e bisedimeve.

Më vonë, në një aktivitet në shtetin jugor amerikan të Xhorxhias, Vance tha se Trump dëshiron të arrijë “marrëveshje të madhe” me Iranin, por se ka shumë mosbesim mes dy vendeve.

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e fajësoi Uashingtonin për dështimin e bisedimeve, por gjithashtu tha se “diplomacia është rruga e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

Një nga çështjet më të diskutueshme ka qenë mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një rrugë ujore nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e dërgesave botërore të naftës dhe gazit në kohë paqeje.

Pasi bisedimet në Islamabad përfunduan pa marrëveshje, Trump njoftoi vendosjen e bllokadës amerikane ndaj anijeve që shkojnë drejt Irani apo vijnë nga Irani.

Ngushtica lidh Evropën me Azinë përmes Kanalit të Suezit dhe cilësohet si një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë detare në ekonominë globale.

Komanda Qendrore e SHBA-së, përgjegjëse për operacionet në rajon, tha në një postim në platformën X se gjatë 24 orëve të para, asnjë anije nuk arriti të kalojë bllokadën amerikane dhe gjashtë anije tregtare iu bindën urdhrave të forcave amerikane për t’u kthyer mbrapsht drejt një porti iranian në Gjirin e Omanit.

“Bllokada e porteve iraniane është zbatuar plotësisht, ndërsa forcat amerikane ruajnë epërsinë detare në Lindjen e Mesme”, tha Brad Cooper, komandanti i CENTCOM, në një postim në X të martën.

“Në më pak se 36 orë nga vendosja e bllokadës, forcat amerikane kanë ndalur plotësisht tregtinë ekonomike që hyn dhe del nga Irani përmes detit”.

Në të njëjtën kohë, të dhënat nga shërbimet e gjurmimit treguan se të paktën katër anije, dy prej të cilave kishin qenë së fundmi në porte iraniane, kaluan ose po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, në orët pasi bllokada hyri në fuqi në orën 10:00 sipas kohës lindore të SHBA-së të hënën.

Ndërkohë, të mërkurën, Irani kërcënoi se do t’i rifillojë sulmet në rajonin e Gjirit nëse bllokada rrezikon sigurinë e anijeve dhe tankerëve iranianë të mallrave, duke thënë se kjo do të përbënte shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Lufta me Iranin, e cila praktikisht mbylli Ngushticën e Hormuzit, ka shkaktuar tronditje në çmimet globale të energjisë, ndërsa ndalimi i dërgesave të mallrave të tjera me vlerë miliarda dollarë që kalojnë nëpër këtë rrugë të ngushtë detare ka kërcënuar ekonomitë në mbarë botën./REL/

Advertisement
Advertisement
Advertisement