Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se e di se kush është zyrtari anonim i administratës, që shkroi një ese në gazetën New York Times dhe më vonë një libër kritik për presidentin.
“Unë e di kush është. Nuk mund t’jua them emrin, por e di kush është”, u tha ai gazetarëve.
Identiteti i anonimit mbetet i panjohur për publikun. Në shtator 2018, ai botoi një opinion në gazetën Neë York Times, dhe në vitin 2019 publikoi librin e quajtur “A Warning”. (Një paralajmërim).
Presidenti Trump, pas kësaj, bëri thirrje për një hetim nga Departamenti i Drejtësisë për gazetën New York Times.
Disa zyrtarë të njohur të administratës Trump, duke përfshirë sekretarin e shtetit Mike Pompeo dhe sekretarin e mbrojtjes në atë kohë Jim Mattis, kanë mohuar se janë “anonimi”.
Sipas autorit, përpjekja e një rrethi të ngushtë zyrtarësh për ta hequr zotin Trump nga presidenca, u rrëzua për të shmangur një krizë kushtetuese.