Artistja britaniko-xhamajkane Linett Kamala po i jep një jetë të re një tradite të vjetër angleze – vallëzimit rreth shtyllës së majit (maypole) – duke e ndërthurur atë me muzikë moderne si dancehall dhe drum’n’bass.
Në një qendër komunitare në Londër, ajo organizon sesione ku pjesëmarrësit vallëzojnë rreth një strukture të dekoruar, por ndryshe nga tradita klasike me muzikë folklorike, atmosfera shoqërohet me ritme të forta basi dhe energji bashkëkohore.
Kamala, e cila u bë e njohur që në moshë të re si DJ në karnavalin e Notting Hill, është fokusuar ndër vite në ndërthurjen e artit, muzikës dhe edukimit komunitar.

Ajo kujton se vallëzimi me shtyllë ishte pjesë e fëmijërisë së saj, por gradualisht u zhduk nga shkollat, ndërsa shoqëria u përpoq të përfshinte kultura të ndryshme.
Frymëzimi për ta rikthyer këtë traditë erdhi gjatë një vizite në Xhamajkë, ku ajo pa fëmijë që ende e praktikonin këtë vallëzim, duke e përshtatur me kulturën lokale. Ky moment e shtyu të krijojë versionin e saj modern.
Projekti i saj më i veçantë është “Basstone Maypole” – një instalacion artistik futuristik me drita LED, altoparlantë dhe sistem zanor, që e transformon vallëzimin në një përvojë multisensoriale.

Përmes këtij projekti, Kamala synon të tregojë se traditat nuk janë statike, por mund të rishpikën dhe të përshtaten me kohën. Ajo thekson se identiteti kulturor është i shumëfishtë dhe se është e mundur të përqafohen rrënjët, duke krijuar njëkohësisht diçka të re.
Në këtë mënyrë, vallëzimi me shtyllë shndërrohet nga një simbol i së kaluarës në një formë moderne shprehjeje dhe bashkimi komunitar. /GazetaExpress/