Mbrëmje e madhe për Ousmane Dembélé, protagonist absolut në fitoren e PSG-së ndaj Liverpoolit.
Sulmuesi francez, fitues i fundit i Topit të Artë, ishte vendimtar me paraqitjen e tij, duke e konfirmuar momentin e shkëlqyer që po e kalon.
Në fund të ndeshjes, ai foli për mikrofonat e Canal+, duke e shprehur kënaqësinë dhe gëzimin për performancën, përcjell “Gazeta Express”.
“Prej shumë kohësh doja ta tregoja futbollin tim, që nga sezoni i kaluar. Në çdo ndeshje dua ta ndihmoj skuadrën: me një gol, një asist apo edhe duke bërë presion ndaj portierit”, deklaroi ai.
Ish-futbollisti i Borussia Dortmundit dhe i Barcelonës e theksoi gjithashtu vështirësinë e ndeshjeve në Ligën e Kampionëve.
“Në Champions nuk ka ndeshje të lehta: për të shkuar deri në fund duhet të dish të vuash.”
Francezi e analizoi edhe sfidën ndaj anglezëve: “Në pjesën e parë krijuam raste dhe për një periudhë e kontrolluam lojën. Në të dytën ishte pak më e vështirë, por arritëm t’i marrim dy fitore dhe ky është një rezultat i madh.”
Falë edhe paraqitjes së tij, PSG-ja arriti ta eliminojë Liverpoolin, me Dembélén që ishte vendimtar me golat e tij në një sfidë shumë të luftuar. /Gazeta Express