Themelorja për herë të tretë liron nga akuza të akuzuarin për vrasjen e rëndë në 2014 në Pejë - Gazeta Express
string(93) "themelorja-per-here-te-trete-liron-nga-akuza-te-akuzuarin-per-vrasjen-e-rende-ne-2014-ne-peje"

Lajme

Gazeta Express

18/04/2024 9:47

Themelorja për herë të tretë liron nga akuza të akuzuarin për vrasjen e rëndë në 2014 në Pejë

Lajme

Gazeta Express

18/04/2024 9:47

Gjykata Themelore në Mitrovicë, në mungesë të provave e ka liruar nga aktakuza të akuzuarin Nimon Berisha për veprën penale vrasje e rëndë dhe armbajtës pa leje.

Aktgjykimi lirues ndaj Berishës është shpallur të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Avni Mehmeti.

Lexo Edhe:

Sipas aktgjykimit, Berisha lirohet nga aktakuza në mungesë të provave, dhe se shpenzimet procedurale i bartë gjykata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, palët nuk patëm kundërshtime lidhur me përmbajtjen e provave materiale që janë administruar në seancën e datës 15 prill 2024.

Më pas, gjykata refuzoi propozimin e palës së dëmtuar Ferid Karagjyzi që të bëhet një ekspertizë jashtë shtetit, për krahasimin e video-incizimeve nga pompa e derivateve “D-Petrol”, me video-incizimet e marra në një market në Pejë, me arsyetimin se kjo provë është e pamundur që të sigurohet.

Gjykata sqaroi se lidhur me incizimet që janë marrë në pompen e derivateve “D-Petrol” janë nxjerrë 4 ekspertiza, dhe 3 prej tyre janë nxjerrë jashtë vendit, sipas të cilave është konstatuar se imazhet e nxjerra nga video-incizimet e vendit të ngjarjes në pompen “D-Petrol” kanë rezulucion të dobët dhe rezulucion të pamjaftueshëm për të bërë krahasim, zmadhim dhe qartësim të fotografive apo imazheve të personit që shihet duke e kryer vrasjen e të ndjerit I.K.

Tutje, i akuzuari Nimon Berisha deklaroi se dëshiron që të mos deklarohet, duke shtuar se ka kaluar kohë e gjatë, dhe për shkak të memories mbetet pranë deklaratave të mëhershme lidhur me rastin.

Prokurori Njazi Rexha tha se mbetët në tërësi pranë fjalëve përfundimtare nga seancat e kaluara, dhe shtoi se pas shikimit të video – incizimeve nga dëshmitarët Reshat Zajmi dhe Enes Zajmi, të njëjtit kanë identifikuar se ecja e personit në video – incizime që ka kryer vrasjen është i pandehuri Nimon Berisha.

Po ashtu, prokurori Rexha tha se edhe nga deklarata e dëshmitares Tabe Morina ka rezultuar se bashkëshortja e të pandehurit Berisha, ka kërkuar nga dëshmitarja Morina që djali i saj, Gj.B. të shkoj në polici për të deklaruar se e ka vozitur automjetin “Hamer”, duke pyetur se cili është interesi i bashkëshortes së të pandehurit që dëshmitari Gj. të japë një deklarim të tillë.

Tutje, prokurori Rexha tha se pavarësisht faktit se Agjencioni i Kosovës për Forenzikë kanë dhënë përgjigje se nuk kanë arritur në nivelin që të bëjnë krahasimin biometrik të personave për të përcaktuar, vërtetuar apo eliminuar përputhshmëritë apo ngjashmëritë në fizikun ndërmjet personave në fjalë, dhe video – materialeve të marra në market, gjykata me lehtësi refuzoi propozimin për një ekspertizë jashtë vendit.

Prokurori Rexha tha se deri më tani nuk kemi ndonjë ekspertizë që në mënyrë të prerë identifikon kryerësin e veprës penale.

Kurse, kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti e ftoi prokurorin që ta tërheqë fjalën “me lehtësi e refuzon propozimin” për nxjerrje te provave të tjera, me arsyetimin se vendimet e gjykatës mund të kontestohen vetëm me ankesë, dhe nëse nuk e tërheqë fjalën është i detyruar që procesverbalin ta dërgoj tek kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe në Komision Disiplinor.

Por, prokurori Rexha tha se nuk e tërheqë fjalën.

Ai i propozoi gjykatës që të akuzuarin Berisha ta shpallë fajtor, dhe me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parapara me ligj.

Mbrojtësi i viktimave e mbështeti fjalën e prokurorit Rexha, dhe tha se mbetën në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë paraprakisht, duke shtuar se ekspertiza e nxjerrë ka pasur mangësi.

Ai i propozoi gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet, dhe ta dënojë sipas ligjit.

Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Ferid Karagjyzi tha se lidhur me ekspertin që ka qenë në seancë vlerëson se nuk është bërë hartografia e thirrjeve, dhe lëvizshmëria e thirrjeve duke iu referuar thirrjeve prej mëngjesit deri në momentin e vrasjes.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ramiz Krasniqi, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim në gjykatë, duke shtuar se fajtori i ekzekutimit të të ndjerit nuk është para kësaj gjykate, dhe nuk është Nimon Berisha.

Ai tha se në vendimin e Gjykatës së Apelit ka pasur kërkesa të pazakonta që nuk mund të gjenden në asnjë legjislacion botëror, dhe se kërkesa të tilla ka pasur vetëm në sisteme diskriminuese, pasi Apeli ka kërkuar ngjashmëri me kryerësin e veprës penale, dhe se këtë vërtetim të ngjashmërisë Apeli e kërkon nga dëshmitarë, të cilët nuk janë ekspert të fushës.

Tutje, Krasniqi tha se ngjashmërinë si përgjegjësi kolektive e kemi përjetuar gjatë regjimit të shkuar, kur si të ngjashëm jemi përzënë.

Por, kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti i thotë avokatit Krasnqi që ta tërheqë fjalën dhe mos të merret me cilësime por me përmbajtjen.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 25 shkurt 2019, për herë të parë e kishte liruar nga akuza të pandehurin Berisha, në mungesë të provave, por rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ndërsa, më 21 shtator 2021, Themelorja sërish e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Nimon Berisha për veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me ç’rast më 26 janar 2023 Apeli aprovoi ankesën dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, akuzon Nimon Berishën se më 31 dhjetor 2014 rreth orës 06:35, në pompën e derivateve “D-Petrol” në Pejë, me qëllim të përfitimit material me pushkë automatike “AK-47”, ka vrarë në mënyrë dinake tani të ndjerin I.K, i cili ishte punëtor i pompës së benzinës.