Thaçi deklarohet disa herë i pafajshëm në Gjykatën Speciale - Gazeta Express
string(59) "thaci-deklarohet-disa-here-i-pafajshem-ne-gjykaten-speciale"

Thaçi deklarohet disa herë i pafajshëm në Gjykatën Speciale

Gazeta Express

09/11/2020 15:43

Ish-shefi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, i ka hedhur poshtë të gjitha pikat e aktakuzës kundër tij, gjatë paraqitjes së tij të parë në Gjykatën Speciale, raporton Gazeta Express.

“I nderuar gjykatës, aktakuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht”, ka deklaruar Thaçi.

Lexo Edhe:

Gjykatësi Nicolas Guillou ka pyetur nëse pafajësia e Thaçit po deklarohet për të gjitha akuzat, ndërsa ish-presidenti ka përsëritur deklaratën.

“Akuzat krejt të paqëndrueshme. Deklarohem për të gjitha pikat e aktakuzës si i pafajshëm”, ka theksuar Thaçi.

Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimin u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. /GazetaExpress/