Komedia nga Kosova ‘Negotiating Peace’ (Të negociosh paqen), në të cilën luajnë aktorët e mirënjohur nga Kosova e Shqipëria; Shkumbin Istrefi, Meli Qena, Ema Andrea, Dukagjin Podrimaj etj., do të prezantohet në Teatrin e Pergolas në Firenze, më 8 dhe 9 maj.
Shfaqja pati udhët neper Evropë duke u prezantuar në ne vende të ndryshme. Në festivalin Mittelfest në Cividale del Friuli në korrik të vitit të kaluar, aktorja Ema Andrea u shpërblye me çmimin ‘Adelaida Ristori’.
E frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, shfaqja NEGOTIATING PEACE tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikërat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes.
E shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Nezirajt, shfaqja është prodhuar nga Qendra Multimedia e Prishtinës, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali); Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani); Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki); R.A.A.A.M (Estoni); Mittelfest (Itali); Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe Black Box Teater (Norvegji).