Të mos përqeshim së bashku - Gazeta Express
string(26) "te-mos-perqeshim-se-bashku"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

21/06/2021 10:36

Të mos përqeshim së bashku

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

21/06/2021 10:36

Disa medie në vend të dimensionit emancipues  dhe ‘sulmimit të perversiteteve shoqërore’ ironikisht u janë vënë në shërbim atyre, prandaj edukimi mbi pushtetin e katërt është i domosdoshëm për të mos i dhënë  kapacitetin shkatërrues të jetës së njerëzve të thjeshtë që papritur u bënë pjesë e saj dhe vazhdojnë të përqeshen vetëdijshëm

Fjolla Hajrizaj

“A ban me folë”, “fusnota-fushata”, “nuk muj me folë se më njohin krejt”, “Raporti i progresit a është diçka për Mitrovicën?”, “O Avdi fol!,…”… Ani pse kanë kaluar vjet, këto janë  disa fraza të njerëzve të rëndomtë që pak kujt mund t’i kenë ikur pa iu bindur titullit të intervistave në Youtube “Të qeshim së bashku”.  Në fakt nuk ishte thjesht një qeshje, por përqeshje e vazhdueshme ndaj tyre. Nuk di të jenë bërë matje, por përditshmëria na shpërfaq se po të bëheshin matje sa përqeshen njerëzit nga njerëzit e tjerë, qytetarët e Kosovës do të gjendeshin krejt në fillim të listës.

Përqeshja e njerëzve, sidomos në rrjetet sociale, kryesisht nxitet nga elementet provinciale të theksit, apo të folurës karakteristike të rajoneve të ndryshme të Kosovës, zonave rurale e të varfra dhe është në funksion të demotivimit të pjesëmarrjes në jetën politike, shoqërore e kulturore që serioze bëhet nga përmasa që merr dhe pakontrollueshmëria e saj.

Rrjedh pyetja a mos kemi të bëjmë me diçka autoritative në psikologjinë e njeriut që pret që të gjithë të jenë të rrjedhshëm e të imitojnë udhëheqësit a mësuesit e tyre të pagabueshëm?

Përqeshja e njerëzve përhapet si zjarri ne pyll nëpër rrjetet sociale në të cilët zor se nuk ka qasje ndokush e kësisoj krijohen forma “arti”e argëtim pa fre në shpinë të njerëzve të thjeshtë.

Po të përqeshej ndonjë fytyrë publike, që pushteti i ka siguruar stabilitet jetësor ky shkrim nuk do të shkruhej…Por t’i shtohet listës së halleve të njeriut të rëndomtë që jeton në një vend ku mirëqenia nuk është lehtë e arritshme “ndoshta edhe është shumë”.   

Në proces të përqeshjes përfshihen: pala e dëmtuar- njerëzit të cilët përqeshen, pala që ka mundësuar të kuptojnë e të shohin të gjithë çka ka bërë “vaki”?- media si dhe pala e tretë- shoqëria që pa qenë në “lëkurën” e palës së parë, përqeshin në kor.

Kur përqeshja ndodh vihen në pah lokalizmi, kulti i njeriut për vete si i paprekshëm nga ekspozimi i tillë dhe mungesa e empatisë e nga ana tjetër shkaku i frikës nga ngacmimet a përqeshja, njerëzit e rëndomtë do të jenë/siç janë hezitues që të marrin pjesë në intervista apo debate publike. Njerëzit do të vazhdojnë të ikin siç rëndom bëjnë nga kamerat dhe gazetarët.

Të jetë ndryshe nuk ka se si sepse rëndomësia e tyre dëbohet nga publikja, shtypet dhe ngelet jofunksionale dhe dalja e tyre nga anonimiteti bëhet në formë dëmtuese duke qenë se nga anonimiteti kalojnë në margjina, si të përqeshur e të ngacmuar, çka nënkupton se pjesëmarrja e tyre në sferën publike mbetet pa domethënie e pa kuptim. Dijet e tyre, e folura e imagjinata, shtypen e ndrydhen dhe  iu mbivendoset vrazhdë kërkesa për ndjekje të modeleve të përqafuara nga masa.

Përqeshja vetëkuptohet si formë diskursive jo-serioze, që nuk shkakton pasoja e dëme te njerëzit që bëhen objektiv i saj. E vërteta është se kjo formë kulture e shndërruar tashmë në argëtim kolektiv, mund të shkaktojë dëme serioze në vetëbesimin e individëve, dhe në censurimin e shtypjen e grupeve të caktuara.

Sidoqoftë, në mos asgjë tjetër ky fenomen shpërfaq pamundësinë shoqërore për t’i përvetësuar liritë dhe të drejtat e njeriut, ndër to atë të shprehjes së lirë të mendimeve për aq kohë sa nuk i cenon ato te të tjerëve.

Është ironike që flitet për vlerat demokratike në një shoqëri ku pushteti medial përdoret për t’i vënë në siklet njerëzit që potencialisht janë më të cenueshëm ndaj përqeshjes.

I pashmangshëm në këtë mes bëhet edukimi medial, për të kuptuar para se gjithash se ka një njeri dhe një jetë të vërtetë pas asaj përmbajtjeje që na prezantohet.  

Disa medie në vend të dimensionit emancipues  dhe ‘sulmimit të perversiteteve shoqërore’ ironikisht u janë vënë në shërbim atyre, prandaj edukimi mbi pushtetin e katërt është i domosdoshëm për të mos i dhënë  kapacitetin shkatërrues të jetës së njerëzve të thjeshtë që papritur  u bënë pjesë e saj dhe vazhdojnë të përqeshen vetëdijshëm.