Të dyshuarit për vrasjen në Kolovicë ende në arrati, policia s'ka njoftim të ri për ta - Gazeta Express
string(84) "te-dyshuarit-per-vrasjen-ne-kolovice-ende-ne-arrati-policia-ska-njoftim-te-ri-per-ta"

Të dyshuarit për vrasjen në Kolovicë ende në arrati, policia s’ka njoftim të ri për ta

Lajme

Gazeta Express

24/04/2024 10:03

Katër personat që po kërkohen nga policia e Kosovës për vrasjen në rrugën “Jeronim de Rada”, në Kolovicë të Prishtinës, ende nuk kanë rënë në duart e organeve të rendit. Të paktën asnjë informacion zyrtar nuk është lëshuar rreth vendndodhjes së tyre. Express më shumë se tre herë ka kërkuar nga policia përgjigje nëse të njëjtit janë arrestuar apo gjenden ende në arrati, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Janë bërë gati një muaj që nga vrasja e rëndë e dy personave në rrugën “Jeronim de Rada”, në Prishtinë, e policia ende nuk ka bërë arrestimin e të dyshuarve, ndonëse të njëjtit janë shpallur persona në kërkim.

Ditën dhe natën kritike të 27 marsit ndodhën dy incidente në këtë lagje mes dy grupeve, e ku pas të shtënave me armë zjarri vdiq Egzon Haziri, 29 vjeçar dhe Zejnie Gashi, kalimtare e rastit e moshës rreth 48 vjeçare.

Për këtë vrasje policia menjëherë i shpalli në kërkim Ahmet Berishën dhe Naim Berishën vëllezër, për vrasje të rëndë, e Fitim Doda dhe Arjan Sijarina për tentim vrasje.

Edhe pse po hetohen si dy raste, motivi dyshohet se lidhet me konfliktin pas plagosjes së Naim Berishës, viktimë e rastit të parë dhe i dyshuar për rastin e dytë.

Pas incidentit që ndodhi në pikë të ditës, ku pati të shtëna me kallashnikov, banorët e lagjes “Kolovica” u trazuan edhe në mbrëmje, kur u dëgjuan sërish gjuajtje me armë.

Dy vëllezërit Berisha dyshohet se i kanë dalë në pritë të dyshuarit Fitim Doda për t’iu hakmarrë për plagosjen në mesditë.

Në momentin kur ka ndodhur sulmi, bashkë me Dodën në veturë kanë qenë edhe disa persona të tjerë, në mesin e të cilëve edhe viktima Egzon Haziri, i cili vdiq në vendin e ngjarjes.

Vdekja tragjike e kalimtares

Në mesin e të plagosurve ishte edhe Zejnie Gashi, 48-vjeçare, e cila u dërgua me urgjencë në QKUK, dhe një ditë pas vdiq po aty për shkak të lëndimeve të rënda që mori, gjatë kohës sa po qëndronte në veturë pranë shtëpisë së saj, kur dy grupet u konfrontuan mes veti.

“E ndjera është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj ,nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të dy peronave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lajmin për vdekjen e saj e pati  konfirmuar shefi i Klinikës së Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.

“Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë quar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellur në Intensivë. Tek ne është sjellur në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht tretmanit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, pati thënë Uka për Express.

Edhe dy persona mbetën të plagosur atë natë

Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy të rinjtë, Lum Halimaj dhe Bilall Kqiku, pasi të njëjtit ishin në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi vrasja.

Lum Halimaj u arrestua më pas nën dyshimin për vrasje të rëndë.

Kjo u konfirmua për Express nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndaj tij u caktua edhe masa e paraburgimit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda  ka vendosur  lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.H për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit K.G dhe B.K, të cilët gjenden në arrati kanë  kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar gjykata.

Katër persona në kërkim nga policia

“Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personave të dyshuar. Personat e dyshuar Ahmet ( Ali) Berisha dhe Naim (Ali) Berisha kërkohen për veprën vrasje e rëndë që ka ndodhë mbrëmë. Ndonëse janë ndërmarrë një sërë veprimesh nga ana e policisë, kërkimi i vazhdueshëm, bastisja e disa lokacioneve etj. personat e dyshuar vazhdojnë të ndodhen në arrati, andaj për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personave të dyshuar na kontaktoni direkt”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

“Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personave të dyshuar. Personat e dyshuar Fitim (Skender) Doda dhe Arijan (Arif) Sijarina, kërkohen për veprën vrasje në tentativë që ka ndodhë me datën 26.03.2024 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë./Gazeta Express