Qeveria e Kosovës ka lëshuar komunikatë në lidhje me takimin e sotëm të zv/kryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e BE’së, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq për “dinarin”.
Qeveria thotë se ky takim është keqpërdorur nga pala serbe dhe nuk solli rezultat.
“Edhe në këtë takim ishte paraparë të bisedohej mbi gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë, nga komuniteti serb në Kosovë, i prezantuar dhe si mundësia e fundit që palët të dakordohen. Fatkeqësisht, edhe ky takim i radhës u keqpërdor nga pala serbe e nuk solli rezultat.”
Në komunikatë thuhet se Kosova ka bërë komentet “përmes të cilave ishim afruar drejt një zgjidhjeje finale brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht pa prekur substancën e propozimit të z. Lajçak”, mirëpo “Serbia, i është përgjigjur me komente tërësisht të reja, si propozim i ri, dhe jo vetëm duke u larguar nga propozimi i emisarit, por edhe nga vetë pozicionet e mëparshme të palës serbe”.
Ekzekutivi kosovar ka thënë se vullnetit të tyre për të gjetur një zgjidhje funksionale Serbia iu përgjigj me propozime që “synojnë legalizimin e strukturave të saj paralele e ilegale”.
“Vullnetit tonë për një zgjidhje funksionale që garanton vazhdimin e mbështetjes për qytetarët e komunitetit serb, pala serbe iu përgjigj me propozime që në tërësi synojnë legalizimin e strukturave të saj paralele e ilegale që operojnë në Kosovë e rrjedhimisht jashtë kornizës së bisedimeve për çështjen.”
Sipas Qeverisë, pala serbe ka kërkuar kalimin nga një sistem paralel ilegal në sistem paralel legal “ku paralelizmi siguron mosintegrim dhe prezencë të Serbisë në Kosovë përmes institucioneve të saj”. ZKM shton se kjo është e papranueshme për ta.
“Përpjekjeve tona për integrim të komunitetit serb, pala serbe iu përgjigj tani me kërkesën eksplicite që të kalohet nga një sistem paralel ilegal, në një sistem paralel, por legal. Pra kalimi në një sistem ku paralelizmi siguron mosintegrim dhe prezencë të Serbisë në Kosovë përmes institucioneve të saj, gjë kjo e papranueshme për palën tonë.”
Qeveria e Kosovës ka shprehur keqardhjen për këtë “regres”, derisa ka shtuar se ka qenë taktikë e Serbisë që të pamundësohet një zgjidhje për këtë situatë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes kryenegociatorit të saj, shprehu keqardhjen për këtë regres, ndërkohë që gjatë negociatave ka qenë e dukshme tërheqja e qëndrimeve të Serbisë edhe nga vetë pozicionimi i saj dhe komentet të dërguara në këtë javë, andaj bëhet e qartë se ka qenë taktikë e Serbisë që të pamundësohet një zgjidhje për këtë situatë.”
LNeptun, rrjeti më i madh i pajisjeve elektronike në Kosovë, sjell edicionin e shumëpritur të kampanjës “Ditët me FAT”...