Sylvinho: Jam i trishtuar që nuk fituam, por jam i kënaqur me lojën - Gazeta Express
string(65) "sylvinho-jam-i-trishtuar-qe-nuk-fituam-por-jam-i-kenaqur-me-lojen"

Sylvinho: Jam i trishtuar që nuk fituam, por jam i kënaqur me lojën

Sport

Gazeta Express

25/03/2024 21:41

Kombëtarja e Shqipërisë pësoi humbje edhe në miqësoren e dytë të këtij muaji.

Të përzgjedhurit e Sylvinhos sonte u mposhtën nga Suedia në Stokholm, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Ndeshja e luajtur në stadiumin “Friends Arena” përfundoi me rezultatin minimal 1:0.

Sylvinho pas ndeshjes për “Supersport” theksoi se ekipi ende nuk është përshtatur siç duhet, duke vlerësuar reagimin e ekipit prej nga ndeshja e kaluar ndaj Kilit.

“Lojtarët janë pak në ankth është normale sepse vetëm 23 prej tyre do shkojnë në Evropian. Kemi bërë ndeshje shumë të mira në kualifikuese aty e treguam veten. Sigurisht që nuk kemi frikë sepse ne jemi kualifikuar për në Evropian”, tha fillimisht ai.

Rreth përshtatjes së lojtarëve me njëri-tjetrin, trajneri brazilian u shpreh: “Asllani dhe Bajrami kishin rrobë të dyfishtë brenda edhe jashtë, kjo tregon që janë akoma të rinj si lojtarë. Kjo skuadër është akoma e re, flasim për lojtarë si këta dhe Mitaj që ende nuk janë përshtatur me njëri tjetrin. Edhe Muçi mund të kishte bërë më shumë si sulmues. Pastaj kemi edhe lojtarë të rinj si Muçolli dhe Hoxha që ende nuk janë përshtatur, por mund të japin shumë në të ardhmen. Ky është momenti për të vlerësuar lojtarët. Sigurisht që rezultati ka rëndësi, pro nuk është më i rëndësishmi. Në krahasim me Kilin kishim një rritje në lojë dhe bëmë shumë më mirë, kjo ka rëndësi”.

Sylvinho foli edhe për ndryshimet në formacion nga ndeshja e kaluar, teksa përmendi edhe një rast diskutabil, duke vlerësuar se “Kuqezinjve” iu mohua një penallti.

“Patjetër që provuam diçka ndryshe për të rritur te porta e te goli, patëm shpejtësinë e Brojës dhe një penallti të mohuar. Është e vështirë të luash pa VAR, por sigurisht që patëm shpejtësinë dhe lojën e Brojës. Balliu ka luajtur disa ndeshje me ne, vetëm me Moldavinë nuk ishte pasi ishte i dëmtuar, por në ndeshjet e tjera ka qenë gjithmonë me ne dhe ka marrë minutat e tij”.

49-vjeçari u pyet edhe për atmosferën mes lojtarëve para fillimit të Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

“Jam shumë i kënaqur me atmosferën e lojtarëve. Ka një konkurrencë të shëndetshme, unë e di se çfarë mendojnë ata. Tani do kthehen në klubet e tyre dhe do të vazhdojnë me punën, por atmosfera mes tyre është vërtetë shumë e mirë. Edhe raporti që lojtarët kanë me stafin teknik është shumë i mirë dhe sigurisht që është punuar shumë nga stafi që të ketë një marrëdhënie të shëndetshme dhe e kemi atë me të gjithë”, tha përzgjedhësi i Kombëtares Shqiptare.

I pyetur se si ndjehet pas ndeshjes së sontme, Sylvinho deklaroi: “Jam i trishtuar që nuk fituam, por jam i kënaqur me lojën. Nuk kam çfarë t’u them lojtarëve për paraqitjen. Ne jemi gjithmonë kjo skuadër që luan me shpirt e me zemër si gjithmonë. Kishim rreth 4000 tifozë që na mbështetnin, ishte si të luanim në shtëpi. Pra kam trishtim vetëm për rezultatin”. /Gazeta Express/