Një statujë 21 metra e lartë e Lionel Messit, e vendosur në Indi, mund të hiqet vetëm pak kohë pas inaugurimit të saj për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë.
Sipas raportimeve nga mediat indiane, autoritetet lokale kanë ngritur dyshime mbi stabilitetin e monumentit, pasi struktura lëkundet ndjeshëm gjatë erërave të forta, përcjell “Gazeta Express”.
Kjo i ka shtyrë institucionet përgjegjëse ta shqyrtojnë mundësinë e çmontimit ose zhvendosjes së saj për të shmangur rreziqe të mundshme për qytetarët.
Statuja, e cila e paraqet kapitenin e Argjentinës duke e ngritur Kupën e Botës, ishte kthyer në një atraksion të madh për tifozët e futbollit në rajon.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë kanë vlerësuar se lëkundjet e saj mund të përbëjnë rrezik, sidomos gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike.
India njihet për numrin e madh të tifozëve të Lionel Messit dhe Argjentinës, veçanërisht në shtetin Kerala, ku futbolli gëzon popullaritet të jashtëzakonshëm.
Pikërisht për këtë arsye, ngritja e monumentit u prit me entuziazëm të madh nga komuniteti sportiv lokal.
Autoritetet pritet ta marrin një vendim përfundimtar pas inspektimeve teknike, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që statuja të përforcohet me masa shtesë inxhinierike në vend të heqjes së plotë.
Nëse konstatohet se rreziku mbetet i lartë, monumenti i dedikuar kampionit të botës mund të largohet përfundimisht, pavarësisht popullaritetit të madh që e ka fituar mes tifozëve të futbollit. /Gazeta Express