Situatë më e qetë një ditë pas vërshimeve, Kryetarët e komunave që u prekën flasin për Express - Gazeta Express
string(93) "situate-me-e-qete-nje-dite-pas-vershimeve-kryetaret-e-komunave-qe-u-preken-flasin-per-express"

Lajme

Gazeta Express

21/11/2022 13:51

Situatë më e qetë një ditë pas vërshimeve, Kryetarët e komunave që u prekën flasin për Express

Lajme

Gazeta Express

21/11/2022 13:51

Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, në disa komuna të Kosovës ka pasur vërshime, të cilat kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha në infrastrukturë publike e bujqësi. Për gjendjen pas vërshimeve, për Gazetën Express kanë folur disa nga kryetarët e komunave që janë prekur më së shumti nga këto vërshime, të cilët kanë deklaruar se raportin me dëmet e shkaktuara do ta dërgojnë në Qeveri për kompensim.

Vushtrria, Drenasi, Istogu, Skënderaj, Deçani e Peja janë disa nga komunat që kanë pasur vërshime pas reshjeve të shumta të shiut gjatë fundjavës.

Lexo Edhe:

Në një prononcim për Gazetën Express, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se gjendja në komunën që ai udhëheq është e mirë.

“Gjendja në Pejë është e mirë, momentalisht nuk ka nevojë për evakuime. Dëme ka pasë në bujqësi, mirëpo komisioni ka dalë me i shiku dëmet”, tha Muhaxheri.

Ndërkaq, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe se janë duke punuar në tejkalimin e vërshimeve

“Jemi në terren. Lumi ‘Sitnica’ është fry bukur shumë, përndryshe që katër muaj ka filluar pastrimi i përroskave në mënyrë që gjendja të mos rëndohet. Kemi ngritur shtabin emergjent për këtë situatë të krijuar. Dëme ka në bujqësi dhe infrastrukurë. Fillimisht do të punojmë që ta tejkalojmë këtë gjendje, ndërsa pastaj do të ngrisin grupin punues për vlerësimin e dëmeve dhe pastaj do të kërkojmë kompensimin e dëmeve”, tha ai për Express.

Vershime ka pasë edhe në Skenderaj e Drenas, për çka kanë folur kryetarët e dy komunave – Fadil Nura e Ramiz Lladrovci.

“Dje kemi dalë në terren, njëjtë edhe sot. Gjendja në Skenderaj është stabile, nuk ka ndonjë dëm në shtëpia, por në infrastrukturë dhe ara e livadhe, në të mbjellura. Do të bëjmë një komision për t’i evidentuar dëmet dhe më pas raporti do t’i adresohet qeverisë”, tha Nura për Express.

Ndërsa, Lladrovci tha se një familje katër anëtarëshe është evakuuar, derisa u bëri thirrje qytetarëve që të shmangen daljet “pa nevojë”.

“Deri dje pasdite vonë, gjendja nga reshjet ka qenë e rënduar, gjatë natës, dhe sot në mëngjes, në disa zona ka vërshime të shkaktuara nga lumi Vërbica. Një familje 4 anëtarëshe është evakuar dhe deri tash nuk kemi pasur probleme tjera të kësaj natyre. Disa rrugë, sidomos mbi ura, janë bërë vështirë të kalueshme, andaj kemi kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të evitojnë ato pjesë ku ka rrezik. Rruga regjionale Drenas – Obiliq, tek lagja Morina në Çikatovë të Vjetër në drejtim të “Guri i Plakës” janë vështirë të kalueshme, ndaj lusim qytetarët që t’i shmangën kësaj rruge dhe të përdorin rrugë të tjera alternative. Kam bërë thirrje që qytetarët të shmangin daljet pa nevojë dhe t’i shmangen rreziqeve në rrugët ku vërshimet janë më të dendura, të kenë mirëkuptim e bashkëpunim, për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga rëniet e dendura të shiut. Pas kërkesave të qytetarëve për dëmet e shkaktuara nga vërshimet, dëmet do të vlerësohen nga Komisioni për rastet e tilla dhe komuna do të bëj kërkesë në nivelin qendror për kompensimin e dëmeve për çdo rast në komunën tonë”, tha Lladrovci për Express.

Gjendje e mirë pas vërshimeve është në Podujevë. Zëdhënësi i kësaj komune, Fatri Zhitia, tha se shiu është ndërprerë, mirëpo është vështirësuar qarkullimi në komunikacion.

“Gjendja në Podujevë është mirë, është ndërprerë shiu, por tash ka nisë me ra kah pak. Është vështirësu qarkullimi në komunikacion. Është dashur të zgjerohen lumenjt dhe përroskat që të evitohen përmbytjet. Ka pasë dëme në infrastrukturë, është dashtë me i thy disa asfalte, ndërsa dëme ka edhe në bujqësi. Shtabi emergjent është i obliguar t’i verifikojë dëmet dhe më pas raporti të dërgohet në Qeveri”, tha Zhitia për Express.

Ndërsa, më së shumti reshje ka pasur komuna e Istogut. Të paktën kështu thotë kryetari i kësaj komune, Ilir Ferati.

Ai tha se gjendja tani është qetësuar, mirëpo shton se kanë themeluar shtabin emergjent për verifikimin e dëmeve.

“Në Istog ka pasë reshje më së shumti. Gjendja tani është e mirë, nën menaxhimin e plotë, ndërsa dje ka qenë më e rënduar. Dëme ka pasur në shtëpi, infrastrukturë publike, bujqësi, mirëpo për evakuuim nuk ka pasë nevojë. Uroj që gjatë natës që mos të ketë reshje, që mos të rritet rreziku. Kemi themeluar shtabin emergjent për dëmet në infrastrukturë, bujqësi, do të bëhet raporti brenda 7 ditëve dhe të dërgohet në qeveri”, tha ai për Express.

Ndërsa, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se gjendja në këtë komunë “po shkon drejt stabilizimit, ndërsa dëmet që janë shkaktuar po vlerësohen”.

Express ka provuar të marrë një prononcim edhe nga kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.