Prokuroria kërkon dënimin e zyrtarit të prokurimit që akuzohet për korrupsion - Gazeta Express
string(77) "prokuroria-kerkon-denimin-e-zyrtarit-te-prokurimit-qe-akuzohet-per-korrupsion"

Prokuroria kërkon dënimin e zyrtarit të prokurimit që akuzohet për korrupsion

Lajme

Gazeta Express

04/05/2024 7:40

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të premten është dhënë fjala përfundimtare në rastin, ku Haxhimet Ferati po ngarkohet se në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Mitrovicës, ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues Rrahman Beqiri njoftoi se gjykata e ka pranuar vendimin nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunen e Mitrovicës, ku më pas i njejti vendim u lëxua në cilësi të provës materiale.

Lexo Edhe:

Fjalën përfundimtare, prokurori Sahit Tmava e dorëzoi me shkrim në gjykatë.

Prokurori Tmava tha se kryerja e veprës penale nga i pandehuri provohet nga: marrëveshja e pasfinancimit, kontrata 034/14 e lidhur në mes të komunës së Mitrovicës dhe operatorit NTP Tropik, aneks kontrata, kontrata kornizë e lidhur duke bërë shkelje të legjislacionit në fuqi, deklarata e dëshmitarës Florije Saliu, si dhe nga deklaratat e të pandehurit që gjenden në shkresa të lëndës.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Haxhimet Ferati, avokati Armend Shkoza në fjalën përfundimtare tha se i perserisin të gjitha kundërshtimet dhe prapsimet, të cilat i kanë parashtruar gjatë zhvillimit të kësaj çështje penale.

Ai tha se asnjë nga provat e administruara nuk e kanë vertetuar qëllimin që i mbrojturi i tij të përfitojë materialisht qoftë për vete apo për personin tjetër.

Tutje, Shkoza deklaroi se pretendimi i prokurorisë për pëfitimin e mbi 200 mijë euro nuk është vertetuar nga asnjë ekspertizë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ferati, avokati Shkoza tha se prokuroria nuk e ka identifikuar palën e dëmtuar edhe pasi kemi pasur një procedurë ligjore që ka pasur të bëjë me shpenzimin e parasë publike.

Sipas mbrojtjes prokuroria nuk ka arritur të vërtetoj se lidhja e aneks kontratës eshtë bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërsa, i akuzuari Haxhimet Ferati në fjalën përfundimtare, tha se si zyrtar përgjegjës i prokurmit ka punuar me nder dhe perkushtim që paraja publike të shfrytëzohet sa më mirë dhe në vendin e duhur.

Ai kërkoi nga gjykata që të lirohet nga aktakuza dhe në aktgjykim të refuzohen të gjitha pretendimet e ngritura në aktakuzë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2023, Haxhimet Ferati akuzohet se më 19 nëntor 2014, në pozitën e menaxherit të prokurimit publik pranë Drejtorisë së Prokurimit, në Komunën e Mitrovicës, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar autorizimet e tij, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të një dobie pasurore për vete ose tjetrin në kundërshtim me LPP nr. 04L-042, ka lidhur aneks- kontratë me Operatorin Ekonomik NTP “Tropik” me të cilin ka pasur kontratë kornizë trivjeçare.