Si t’i shpëtosh një fanatiku - Gazeta Express
string(27) "si-ti-shpetosh-nje-fanatiku"

Si t’i shpëtosh një fanatiku

OP/ED

Gazeta Express

13/04/2023 13:34

Nëse një person sulmohet fizikisht për shkak të një talljeje të mbështetur mbi një të vërtetë, për shkak të një batute që vë në thumb një klerik në një moment të caktuar, është shenjë se brenda shoqërisë gëlojnë disponime e grupe frikshmërisht të gatshme të marrin drejtësinë në dorë, përkatësisht t’i qërojnë hesapet në rrugën më të shkurtër, krejtësisht joligjore

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Kur jemi përballë dhunës fizike si reagim ndaj një mendimi, ose një qëndrimi të cilin marrësit e kërkuar ose aksidentalë nuk e përpijnë dot, përkatësisht persona privatë a grupacione të caktuara të barabarta, në parim, me ne para ligjit, subjekte njëjtë si ne të ligjit, ne – dhe kështu duhet të jetë – nuk merremi më me atë nëse ai mendim a qëndrim ishte i arsyeshëm, i nevojshëm, ose edhe i lejueshëm, korrekt a profesional: dhuna – thjesht, së pari dhe së mbrami – nuk arsyetohet, përkatësisht, nuk lejohet.

Për rrjedhojë, po vrisja mendjen nëse ka një mënyrë për të thënë një mendim pa hasur në gatishmërinë instinktive të një reagimi fizik, të dhunshëm, të një ekstremisti, fundamentalisti, fanatiku, dogmatiku? Praktikisht, e pamundur të ketë një sish. Ngase, në momentin që tjetri s’e ka atë gatishmëri instinktive të reagimit të dhunshëm, nuk është më fanatik. Edhe nëse – dhe s’do mend – nuk do të pajtohet me mendimin tënd, ai do t’i mbajë duart nën tavolinë dhe nëse shprehja jote ndonjëherë do ta kalojë atë kufirin e brishtë të tolerancës, mirëkuptimit dhe mirësjelljes, duke tingëlluar tallëse dhe fyese, më e shumta – po i qëndoj besnik kulturës së vendit – do të ta shajë nënën; e atëherë do të mbetet të shihet nëse ti s’do të biesh pre e asaj gatishmërie instinktive.

***

Kush sulmohet, përgjithësisht dhe më lehtësisht?

Të paktën te ne, zakonisht një gazetar a analist me qëndrime të artikuluara si nëpër kafene, ngase është person mjaft publik dhe i pranishëm në mediat me shpërndarje masive, nga persona privatë, të panxitur drejtpërdrejt nga askush, nga asnjë autoritetet fetar, të cilët pretendojnë ta vënë në vend gjoja nderin e cenuar të besimit të tyre, a të personit të tyre të dashur, të autoritetshëm, të besuar, që pretendojnë të jetë fyer.

Autori që nuk lexohet as kuptohet nga masa, por ndaj të cilit e nxit turmën një autoritetet i lartë fetar, i cili e konsiderton veten të thirrur ta vërë në vend, përmes sikarëve të tij shpirtërorë e edhe materialë, nderin gjoja të cenuar të besimit të tij.

Në asnjërin rast nuk mund të themi se është më i lehtë veprimi i një shteti ligjor. Sepse personat e gatshëm për ta kryer atë dhunë, besimtarë të verbër, ushtarë fantazmë, janë të panumërt dhe të pakontrollueshëm. Kanë durimin të presin momentin e tyre deri edhe me dekada dhe pikërishrt atëherë kur duket se gjithçka është harruar, vjen më e keqja.

***

Nëse një person sulmohet fizikisht për shkak të një talljeje të mbështetur mbi një të vërtetë, për shkak të një batute që vë në thumb një klerik në një moment të caktuar (edhe nëse ajo batutë nuk ka ndonjë shije artistike kush e di se çka), është shenjë se brenda shoqërisë gëlojnë disponime e grupe frikshmërisht të gatshme të marrin drejtësinë në dorë, përkatësisht t’i qërojnë hesapet në rrugën më të shkurtër, krejtësisht joligjore. Në të vërtetë, ato disponime e grupe nuk janë vetëm religjioze, janë edhe partiake e nacionaliste dhe atëherë mund të jenë, te ne, edhe më të thella, më të mëdha dhe më të frikshme.

***

Pra, a ka ndonjë mënyrë si t’i shpëtohet një fanatiku?

Përgjigjja e parë që vjen në mendje, si një lloj batute (mbase pa ndonjë shije kushediseçka), është se duhet të shkruash aq mirë sa ai të mos kuptojë asgjë (gjithmonë duke konsideruar se – s’ka vend për paradokse këtu – s’mund të jesh fanatik pa qenë dikush që është i rëndë nga të kuptuarit). Pa përjashtuar se shpesh vetë akti i të shkruarit mbi diçka të caktuar – duke injoruar deri në palcë gjithë atë që është shkruar – mund të mbahet si blasfemik nga ata që shkojnë me besimin se s’mund, s’duhet dhe s’guxohet të shkruhet për atë gjë.

Përgjigjja e dytë është se shoqëria duhet të shkojë drejt një zhvillimi të atillë që do të mundësonte zbehjen a në fund fare zhdukjen e fanatizmit. Hipotezë bukur utopike.

Përgjigjja e tretë, më tokësore, është se shoqëria duhet të ketë një organizim të tillë ligjor që nuk u lë hapësirë personave e grupeve të caktuara të vetëmenaxhojnë drejtësinë, e cila pra është e drejtë ekskluzive e shtetit. Kjo nuk përjashton mundësinë që, fatkeqësisht, të ketë shkelje, por të paktën, fatbardhësisht, nuk i krijon iluzionin shkelësit se mund të bëjë ç’të, ku dhe kur të dojë.