Kombëtarja e Anglisë ka publikuar listën prej 26 lojtarësh për Kupën e Botës që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada gjatë muajve qershor dhe korrik.
Përzgjedhësi Thomas Tuchel ka shkaktuar befasi të mëdha me disa mungesa të rëndësishme, ku emrat më të komentuar janë Cole Palmer i Chelsea, Phil Foden i Manchester Cityt dhe mbrojtësi i Real Madrid, Trent Alexander-Arnold.
Palmer, i cili kishte shënuar në finalen e Euro 2024 ndaj Spanjës, mbetet jashtë listës së “Tre Luanëve”, ndërsa nga Chelsea mungon edhe mbrojtësi Levi Colwill për shkak të një problemi të vazhdueshëm në gju.
Nga ana tjetër, Alexander-Arnold vazhdon të mos jetë në planet e Tuchel. Mbrojtësi anglez ka luajtur vetëm 27 minuta nën drejtimin e trajnerit gjerman dhe nuk është përfshirë në asnjërën prej grumbullimeve të këtij viti.
Një tjetër mungesë e madhe është ajo e Harry Maguire. Mbrojtësi i Manchester United kishte deklaruar se ishte “i shokuar” nga mosftesa, ndërsa Tuchel ka zgjedhur në qendër të mbrojtjes emra si Marc Guehi, Ezri Konsa, John Stones dhe Dan Burn.
Në repartin defensiv, trajneri anglez ka përzgjedhur edhe Nico O’Reilly dhe Djed Spence për krahun e majtë, ndërsa në të djathtë do të konkurrojnë Tino Livramento dhe Reece James.
Jashtë listës kanë mbetur gjithashtu Phil Foden pas një sezoni zhgënjyes me Manchester City, si dhe Morgan Gibbs-White, pavarësisht formës së mirë në fund të sezonit me Nottingham Forest.
Në portë, Anglia do të mbështetet te eksperienca e Jordan Pickford, i cili pritet të marrë pjesë në turneun e pestë të madh me kombëtaren, ndërsa konkurrenca do të vijë nga James Trafford dhe Dean Henderson.
Në sulm, surpriza më e madhe është rikthimi i Ivan Toney. Sulmuesi i Al-Ahli ka realizuar 42 gola këtë sezon në të gjitha garat dhe rikthehet në kombëtare pas transferimit në Arabinë Saudite.
Pas publikimit të listës, Tuchel deklaroi se përzgjedhja ka qenë shumë e vështirë, por se beson plotësisht te grupi i lojtarëve që ka zgjedhur.
Anglia do ta nisë Kupën e Botës më 17 qershor ndaj Kroacisë në Grupin L, përpara përballjeve ndaj Ganës dhe Panamas.