Duket se klubi i basketbollit Drita do të shuhet përfundimisht.
Pas plot 66 vitesh kur u themelua, duket se klubi gjilanas ku luajtën dhe u zhvilluan gjenerata të shumta, do të shuajë aktivitetin e vetë në mungesë të organizimit dhe financimit.
Lajmin për shuarjen e Dritës si klub, e ka dhënë sot kapiteni i ekipit Qëndrim Demi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook.
”Përfundon rrugëtimi i klubit të basketbollit “Drita” meshkujt . Një klub me një histori të pasur dhe një trashëgimi të ndërtuar me mund e përkushtim nga breza të tërë, sot po mbyll kapitullin e tij të rëndësishëm në fushën e sportit. Drita nuk ishte vetëm një klub, ishte simbol i pasionit dhe i bashkimit të komunitetit tonë. Ishte vendi ku qindra të rinj u formuan, ku fëmijët dhe të rinjët e gjetën shpresën dhe krenarinë përmes sportit. Mirëpo, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së mbështetjes së duhur, ky udhëtim ka ardhur në fund. Ndonëse “Drita” sot shuhet, shpresa mbetet që një ditë të rilindë për t’i dhuruar komunitetit tonë sërish atë ndjesinë e veçantë që vetëm një klub si ky mund të ofronte”, ka shkruajtur Demi.
Ky postim i tij, lë të nënkuptohet se klubi gjilanas nga dita e sotme do të ndalet së ekzistuari e që është gjë e dhimbshme dhe e papranueshme, jo vetëm për basketbollin gjilanas por edhe atë kosovar, kur dihet se Drita ka të fituar edhe një titull kampioni të Kosovës në vitin 1997 dhe gjithmonë ka dhënë kuadro për basketbollin kosovar, sikurse me lojtarë ashtu edhe me trajnerë.
Vlen të ceket se gjatë kësaj vere, klubi gjilanas ishte privatizuar duke u larguar nga menagjimi shtetëror, duke rënë në duart e disa investitorëve privatë të cilët tentuan që klubin ta vendosin nga liga e dytë në të parën, por kjo nuk u arrit dhe duket se pas mos-arritjes së këtij qëllimi, ata janë tërhequr duke e lënë klubin nën mëshirën e fatit.
Urojmë dhe shpresojmë që kjo të mos ndodhë, por qartazi duket se shkëndijat e ditës së sotme lidhur me çështjen, nuk janë aspak të mira. /AsistiOnline.com/