Shteti kërkon zgjedhje në të gjitha federatat, përfshirë FFK-në - Gazeta Express
string(62) "shteti-kerkon-zgjedhje-ne-te-gjitha-federatat-perfshire-ffk-ne"

Shteti kërkon zgjedhje në të gjitha federatat, përfshirë FFK-në

Gazeta Express

09/11/2020 11:45

Ministria e Sportit përmes një qarkoreje po i udhëzon federatat sportive që më së largu deri më 28 mars t’i mbajnë Kuvendet e Rregullta Zgjedhore për ciklin olimpik 2021-2024 Sipas këtij dikasteri qeveritar, këtij udhëzimi duhet t’i përmbahen të gjitha organizatat sportive dhe klubet, pa asnjë përjashtim. Ministria e Sportit thotë se mandatet nuk mund të merren përmes mocioneve të votëbesimit. Sipas saj, në kuvende nuk mund të marrin pjesë as delegatë që edhe votojnë për organe të reja të organizatave sportive edhe që njëkohësisht paguhen duke punuar po në ato federata. Krejt këto vlejnë edhe për Federatën e Futbollit të Kosovës, ku ka asi delegatë me konflikt interesi, dhe ku insistohet se kryetari i saj ka mandat deri në vitin 2022, gjë që kontestohet qysh moti.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) e ka lëshuar një qarkore me udhëzime për përmbushje të obligimeve ligjore të cilat i rregullojnë çështjet e mbajtjes së Kuvendeve të Punës dhe të Kuvendeve Zgjedhore në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), në të gjitha federatat sportive të vendit dhe në të gjitha klubet, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Sipas kësaj qarkoreje, kuvendet e punës për vitin 2019 është dashur të mbahen gjatë muajve janar, shkurt dhe mars të vitit 2020. Disa federata i kanë kryer kuvendet, por një e treta e federatave sportive, bashkë me KOK-un, nuk i kanë mbajtur kuvendet shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Andaj, ky dikaster qeveritar ka kërkuar nga të gjitha organizatat sportive që nuk i kanë mbajtur kuvendet e punës, t’i mbajnë ato, më së largu deri në fund të këtij viti. Ministria përmes kësaj qarkoreje thotë se mbajtja e kuvendeve është detyruese.

Express raporton se KOK-u dhe federatat sportive kuvendet e rregullta zgjedhore i kanë mbajtur në vitin 2016. Ato është dashur t’iu nënshtrohen zgjedhjeve të rregullta në vitin 2020. Por, shkaku i pandemisë një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Andaj, MKRS kërkon që kjo punë të kryhet në fillim të vitit 2021.

Mirëpo, për t’iu shmangur problemeve, parregullsive, dyshimeve, pakënaqësive dhe për t’i kontribuar njëherë e përgjithmonë një procesi të mirëfilltë, Ministria e Sportit është e vendosur që të mos tolerojë lëshime në këtë proces siç ka ndodhur në të kaluarën.

Andaj, MKRS përmes kësaj qarkoreje ka bërë të ditur se fillimisht klubet sportive duhet t’i mbajnë Kuvendet e tyre, nën monitorim të federatave përkatëse, më së largu deri më 31 janar të vitit 2021. Pastaj, ato duhet t’i duhet t’i dërgojnë raportet e kuvendeve të tyre në federatat respektive dhe nga ato kuvende duhet t’i çojnë delegatët e vet në federatat që u përkasin.

“Pas përfundimit të kuvendeve (të rregullta e zgjedhore të klubeve, nën monitorimin e federatave sportive përkatëse dhe komunave përkatëse), gjatë muajit shkurt e më së largu deri më 28 shkurt mbahen kuvendet e rregullta dhe ato zgjedhore të federatave nën monitorimin e MKRS dhe KOK-ut”, shkruan tutje në qarkoren e MKRS-së, e cila potencon se krejt ky proces duhet të kryhet më së largu deri më 31 mars me kuvendin zgjedhor të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Ligji i Sportit është shumë i ashpër me shkelësit

MKRS kujton se qarkorja me udhëzime e saj dërguar organizatave sportive në vend është e mbështetur plotësisht në ligjet përkatëse të Republikës së Kosovë, është në përputhje me aktet normative të KOK-ut dhe të federatave sportive, e po ashtu ka përputhshmëri edhe me aktet normative të organizatave ndërkombëtare sportive. Qëllimi i këtij dikasteri qeveritar është vendosja e rendit dhe respektimi i ligjeve në sport, të cilat ndër vite nuk janë respektuar apo janë shkelur në mënyrë drastike.

Por, Ligji i Sportit i Republikës së Kosovës është mjaft i qartë. “Po që se, vendimet e federatave të sportit janë në kundërshtim të hapur me aktet normative të tyre dhe me këtë Ligj, atëherë organet përfaqësuese dhe personat përgjegjës, dalin para organeve kompetente të drejtësisë, të cilat mund ta anulojnë zbatimin e vendimeve dhe të marrin masa përkatëse ndaj personave udhëheqës”, thuhet në pikën 30.4 të nenit 30 të Ligjit të Sportit.

Ministria: Udhëzimi vlen për të gjithë, edhe për FFK-në që kundërshton

Qarkorja me udhëzime për mbajtje të kuvendeve të punës dhe kuvendeve të rregullta zgjedhore vlen për të gjitha organizatat sportive, thotë Ministria e Sportit. Kështu, kthehet në temë debati puna rreth Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ende nuk ka mbajtur Kuvend të Punës, ndërsa nuk ka mbajtur as Kuvend të Rregullt Zgjedhor qysh prej vitit 2016.

Situata rreth FFK-së është komplikuar shumë. Në vitin 2016, në përputhje me ciklin olimpik, ishte mbajtur Kuvendi i Rregullt Zgjedhor në FFK. Në atë Kuvend ishte zgjedhur Komiteti Ekzekutiv për mandat katërvjeçar bashkë me presidentin Fadil Vokrri. I ndjeri Vokrri ndërroi jetë në vitin 2018 dhe nuk e priti përfundimin e mandatit në vitin 2020. Me atë rast, pas vdekjes së Vokrrit, në verën e vitit 2018, ishte mbajtur një Kuvend i Jashtëzakonshëm Zgjedhor, ku Agim Ademi ishte zgjedhur kryetar.

Ndërsa, nuk pati zgjedhje për Komitet Ekzekutiv, i cili në vitin 2016 kishte marrë mandat katërvjeçar. Në fillim të vitit 2020 Komitetit Ekzekutiv i skadoi mandati dhe u zgjodh Komiteti Ekzekutiv i ri për mandat deri në vitin 2024. Mirëpo, nuk pati zgjedhje për kryetar.

FFK insiston se në vitin 2018 Agim Ademi ka marrë mandat katërvjeçar. Ndërsa, një grup goxha i madh opozitar edhe sot insiston se Ademi e ka marrë mandatin e lënë në gjysmë nga i ndjeri Vokrri dhe në janar të këtij viti qe dashtë FFK t’u nënshtrohet zgjedhjeve të reja të rregullta. Kështu, sipas FFK-së, mandati i Ademit skadon në vitin 2022, kurse i Komitetit Ekzekutiv në vitin 2022.

Mirëpo, ndryshe po vlerëson Ministria e Sportit. Ky dikaster qeveritar thotë se pa asnjë përjashtim, të gjitha federatat sportive, duhet të mbajnë zgjedhje të rregullta më së largu deri më 28 shkurt, konform qarkores së lëshuar nga kjo ministri.

“Kjo qarkore me udhëzime e MKRS-së, vlen për të gjithë, pa asnjë përjashtim. Kushdo që nuk u përmbahet këtyre udhëzimeve nuk do të licencohet për ciklin olimpik 2021-2024 dhe nuk do t’u ndahen mjetet. Kjo nuk ka asgjë kundër askujt e as nuk bëhet për interes të dikujt. Thjeshtë, ka të bëjë me respektim të ligjeve, akteve normative dhe vendosjes së rendit dhe rregullit në sport”, ka deklaruar për Gazetën Express, sekretari i MKRS-së, Ibër Alaj.

Nëse FFK nuk i mban zgjedhjet, apo cilado federatë tjetër që nuk e respekton këtë udhëzim të Ministrisë së Sportit, nuk do të ketë licencim e as subvencionim nga shteti. Brenda një viti FFK nga Ministria e Sportit i merr rreth 270 mijë euro. Për një cikël olimpik i bie afro 1 milion euro, të cilat FFK mund të mos i marrë në rast se nuk e respekton udhëzimin. 1 milion euro mund të jenë pak për FFK-në, e cila merr miliona nga UEFA e FIFA, por për klubet e futbollit të goditura nga kriza ekonomike janë shumë. Po ashtu, nuk do të marrë licencë për një cikël të tërë olimpik dhe do të ndalen investimet kapitale në futbollin kosovar. Rreth 70 për qind të investimeve kapitale të Ministrisë së Sportit shkojnë zakonisht në futboll.

Alaj: Në Kuvende nuk mund të marrin pjesë delegatë që marrin para nga federatat, s’ka as votëbesim

Ministria e Sportit thotë se është e vendosur që të sjell rregull në sport, duke i respektuar pavarësitë e brendshme të federatave. Sipas sekretarit Ibër Alaj, MKRS është e interesuar t’u jap fund shkeljeve ligjore që bëhen zakonisht. Sipas tij, organet e reja të organizatave sportive duhet të burojnë nga vullneti i delegatëve, pavarësisht nëse do të fitojnë mandate kryesitë e njëjta të federatave që janë edhe sot në pozita udhëheqëse.

Por, ai ka kujtuar se kjo qarkore duhet të respektohet dhe të mos lejohen shkelje të atilla që në kuvendet e federatave të votojnë delegatë që njëkohësisht janë të punësuar nëpër federata apo që paguhen në ndonjë formë tjetër nga federatat.

“Nuk munden administratorët me qenë zgjedhës të organeve. Nuk lejohet me ligje e rregulla sepse kjo paraqet konflikt interesi. Ata që janë të punësuar në federata nuk mund të votojnë”, tha Alaj për Gazetën Express, duke iu referuar federatave në shumës dhe jo në të përveçme.

Por, duhet kujtuar se në Kuvendin e fundit të FFK-së, ku është votuar Komiteti Ekzekutiv i ri, janë identifikuar numër i madh delegatësh që kanë marrë pjesë në Kuvend, madje edhe duke votuar, ndonëse të njëjtit paguhen nga FFK.

Sipas Alajt, në kuvendet e rregullta zgjedhore të federatave nuk mund të ketë mocione votëbesimi për prijësit e tyre, por duhet të fitojnë mandate nga zgjedhjet e rregullta. /GazetaExpress/