Koalicioni VLEN dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) po akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, keqpërdorim të pushtetit dhe pasuri. VLEN ngriti akuza ndaj ish-zyrtarit Artan Grubi lidhur me rastin “Lotaria Shtetërore” dhe pretendon zvarritje të qëllimshme të hetimeve, ndërsa BDI kundërpërgjigjet duke akuzuar drejtorin e NOMAGAS, Nedim Rama, për pasuri të dyshimtë dhe mungesë transparence mbi prejardhjen e kapitalit.
VLEN pretendon se rasti i Grubit, ku ai dyshohet për keqpërdorime miliona eurosh, po vonohet në mënyrë të qëllimshme dhe ngre dyshime për ndikim politik në sistemin e drejtësisë. Në reagimet e tyre përmendet edhe roli i institucioneve të prokurorisë dhe figura të caktuara publike, duke kërkuar që rasti të mos mbyllet pa epilog.
“Rasti i Artan Grubit po zvarritet, ndërsa qytetarët po presin përgjigje. Njeriu që për vite ishte arkiva e gjallë e BDI-së, njeriu që di ku janë firmat, pazaret, marrëveshjet dhe aferat e pushtetit të vjetër, ende nuk po përballet me epilog institucional. Artan Grubi, bashkë me kaçakun Përparim Bajrami, dyshohet për keqpërdorime prej 8 milionë eurove në rastin “Lotaria Shtetërore”. Kjo nuk është dosje e zakonshme, por një nga dosjet më të rënda të sistemit të BDI-së, ku politika, biznesi, lotaria dhe pushteti u përzien për përfitime private. Prandaj, pyetja që shtrohet vetvetiu është kush po e zvarrit këtë rast? Kush ka interes që Artan Grubi të heshtë? Kush po dridhet nga ajo që mund të tregojë arkiva e BDI-së? Në këtë rast nuk mund të anashkalohet as emri i Islam Abazit. Opinioni e mban mend mirë se Artan Grubi kishte punësuar një familjare të afërt të tij, e më pas e kishte transferuar në AEK. Sot, kur rasti Grubi po ecën me hapa breshke, qytetarët kanë të drejtë të pyesin nëse kjo është rastësi, apo pjesë e ndonjë rrjeti që prodhon mbrojtje, heshtje dhe paprekshmëri. VLEN kërkon përgjigje dhe veprim. Rasti Grubi nuk guxon të përfundojë në sirtar. Nuk guxon të kthehet në pazar të ri të nëntokës politike, meqë çdo zvarritje e drejtësisë dëmton besimin e qytetarëve dhe rrugën evropiane të vendit”, thonë nga VLEN.
Nga ana tjetër, BDI akuzon Nedim Ramën për rritje të shpejtë të pasurisë përmes pronave luksoze, kompanive dhe kontratave me institucione publike, duke kërkuar hetim nga Komisioni për Antikorrupsion, Policia Financiare dhe Prokuroria. Sipas tyre, ekzistojnë dyshime për konflikt interesi, pastrim parash dhe përdorim të pozitës publike për përfitime private.
“Prej disa ditësh, drejtori i NOMAGAS, Nedim Rama, hesht në vend që t’ia spjegojë opinionit publik se si me pagën e një të punësuari në Komunën e Çairit, e më pas si këshilltar i Izet Mexhitit, ka arritur të krijojë kapital të madh financiar, në prona të paluajtshme dhe aktivitete biznesi. Përveç mungesës së përgjigjeve dhe transparencës, publiku deri më tani nuk ka parë asnjë sqarim për pasurinë për të cilën posedojmë prova. Përkundrazi, VLEN lëshon anketa të porositura për epërsi të rrejshme ndaj BDI-së. Gjatë ditëve të kaluara, BDI publikoi një sërë të dhënash që hapin pyetje serioze për pasurinë e fituar të Ramës”, thonë nga BDI.
Kujtojmë se ditëve të fundit, dy partitë VLEN dhe BDI kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella jo vetëm për korrupsion dhe pasuri të dyshimtë, por edhe për çështje që lidhen me ndikimin politik dhe zhvillimet institucionale në vend.
tag_katrorimaqedoni_2