Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës ka shprehur shqetësim për deklaratat publike të bëra nga përfaqësues të disa klubeve gjatë këtij edicioni garues, duke i konsideruar ato si presion të papranueshëm ndaj zyrtarëve të ndeshjeve.
Në reagimin e saj, Shoqata thekson se ndonëse klubet kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me organizimin dhe zhvillimin e garave, kjo e drejtë nuk duhet të shndërrohet në mjete presioni, kërcënimi apo denigrimi publik ndaj gjyqtarëve.
Sipas Shoqatës, deklaratat që përmbajnë gjuhë denigruese, insinuata apo elemente presioni ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e “fair-playit”, duke dëmtuar integritetin e garës dhe imazhin e futbollit kosovar.
Po ashtu, theksohet se kohëve të fundit është vërejtur rritje e reagimeve emocionale ndaj gjyqtarëve, gjë që sipas tyre po krijon një klimë tensioni dhe mosbesimi në opinionin sportiv.
Shoqata rikujton se gjyqtarët janë autoritet i pavarur në fushën e lojës, ndërsa vlerësimi i tyre bëhet vetëm nga organet dhe komisionet kompetente përmes mekanizmave zyrtarë dhe procedurave disiplinore.
Në fund, Shoqata u bën thirrje të gjitha klubeve dhe akterëve të futbollit që të tregojnë përgjegjësi dhe maturi në deklarimet publike, duke shmangur gjuhën që nxit tensione apo urrejtje.
Gjithashtu, ajo njofton se çdo deklaratë denigruese apo fyese do të adresohet në organet kompetente të FFK-së për trajtim sipas rregulloreve në fuqi./GazetaExpress/
Reagimi i plotë:
“Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës ka pranuar me shqetësim deklaratat publike të bëra gjatë këtij edicioni garues nga përfaqësues të klubeve në drejtim të gjyqtarëve të futbollit të Kosovës.
Duke respektuar të drejtën legjitime të çdo klubi dhe subjekti sportiv për të shprehur qëndrimet apo pakënaqësitë e tyre lidhur me organizimin dhe zhvillimin e garave, konsiderojmë se kjo e drejtë nuk duhet të shndërrohet në mjet presioni, kërcënimi apo denigrimi publik ndaj zyrtarëve të ndeshjeve.
Deklaratat që përmbajnë insinuata, gjuhë denigruese apo elemente të qarta presioni ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me frymën sportive, respektin institucional dhe parimet e ‘fair-play’-it. Një qasje e tillë cenon integritetin e garës, autoritetin dhe dinjitetin e zyrtarëve sportivë, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e futbollit kosovar.
Fatkeqësisht, kohëve të fundit është vërejtur një rritje e reagimeve emocionale dhe deklaratave të pamatura ndaj gjyqtarëve, të cilat po krijojnë një klimë të panevojshme tensioni dhe mosbesimi në opinionin sportiv. Forma të tilla komunikimi dëmtojnë jo vetëm autoritetin e gjyqtarëve, por edhe kulturën institucionale që duhet ta karakterizojë futbollin tonë.
Rikujtojmë se gjyqtarët janë autoritet i pavarur në fushën e lojës dhe çdo vlerësim për performancën e tyre trajtohet ekskluzivisht nga organet dhe komisionet kompetente, përmes mekanizmave zyrtarë, analizave profesionale dhe procedurave disiplinore të parapara me aktet normative në fuqi. Çdo tentativë për të ushtruar presion publik mbi vendimmarrjen apo integritetin e gjyqtarëve është e papranueshme.
U bëjmë thirrje të gjitha klubeve, zyrtarëve dhe akterëve të futbollit që të tregojnë përgjegjësi, maturi dhe respekt ndaj institucioneve të futbollit dhe zyrtarëve të saj, duke shmangur deklaratat që nxisin tensione, urrejtje apo klimë mosbesimi.
Njëkohësisht, njoftojmë se deklaratat denigruese, fyese dhe jo sportive do t’i adresojmë në organet kompetente të FFK-së për trajtim sipas procedurave dhe rregulloreve në fuqi.
Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të garave, autoritetit dhe dinjitetit të gjyqtarëve, si dhe në avancimin profesional dhe korrekt të futbollit në Kosovë”.
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...