Ekspertët kërkojnë rregulla më të unifikuara dhe teste më të besueshme për të moshuarit në timon.
Në Zvicër, çdo person mbi moshën 75-vjeçare që dëshiron të vazhdojë të drejtojë automjetin duhet t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor çdo dy vjet për të dëshmuar se është ende i aftë për vozitje, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Kontrolli zakonisht kryhet nga mjeku dhe përfshin:
shikimin dhe dëgjimin
refleksin dhe koordinimin
kujtesën dhe orientimin
si dhe sëmundje që mund të ndikojnë në sigurinë në trafik, si demenca, problemet neurologjike apo sëmundjet e zemrës.
Megjithatë, një studim i ri i realizuar nga Zurich University of Applied Sciences (ZHAW) dhe Lausanne School of Social Work and Health ka kritikuar sistemin aktual, duke thënë se procedurat ndryshojnë shumë nga një kanton në tjetrin dhe nuk janë mjaftueshëm të standardizuara.
Sipas studiuesve, aktualisht nuk ekziston një sistem plotësisht “i drejtë, i besueshëm dhe i bazuar shkencërisht” për vlerësimin e aftësisë për vozitje tek të moshuarit. Ata kërkojnë:
rregulla të njëjta në gjithë Zvicrën
më shumë teste praktike në trafik real
dhe përfshirjen e specialistëve si neuropsikologë dhe instruktorë vozitjeje.
Ekspertët argumentojnë se testet vetëm teorike ose njohëse nuk mjaftojnë për të vlerësuar nëse një person mund të vozisë në mënyrë të sigurt në situata reale në trafik.
Debati është bërë më i ndjeshëm në Zvicër për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së numrit të shoferëve të moshuar. Organizatat e pensionistëve theksojnë se mosha nuk duhet të jetë kriteri i vetëm, pasi shumë persona mbi 75 vjeç vazhdojnë të jenë plotësisht të aftë për vozitje.
Nga ana tjetër, ekspertët e sigurisë rrugore paralajmërojnë se me rritjen e moshës shtohen problemet me reagimin, shikimin dhe orientimin, çka mund të rrisë rrezikun e aksidenteve.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...