Shaw tallet me Lukakun, pas eliminimit të Interit nga Liga e Kampionëve - Gazeta Express
string(70) "shaw-tallet-me-lukakun-pas-eliminimit-te-interit-nga-liga-e-kampioneve"

Shaw tallet me Lukakun, pas eliminimit të Interit nga Liga e Kampionëve

Gazeta Express

11/12/2019 9:57

Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Luke Shaw, e mirëpriti Romelu Lukakun në Ligën e Evropës, pasi Interi s’arriti të kualifikohet nga faza e grupeve në atë eliminatore të Ligës së Kampionëve.

Skuadra e Antonio Contes, që luajti kundër Barcelonës në San Siro, duhej të siguronte rezultat të njëjtë me atë të Borussia Dortmundit kundër Slavia Prague për ta zënë një vend në mesin e 16 klubeve të kualifikuara nga faza e grupeve të Championsit, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Kampionia në fuqi e Spanjës e ndryshoi një pjesë të madhe të formacionit, pasi që veçse e kishte siguruar kualifikimin në fazën eliminatore. Megjithatë, katalonasit arritën ta mposhtin Interin me rezultat 2:1.

Barcelona fillimisht kaloi në epërsi përmes një goli të shënuar nga Carles Perez në minutën e 23-të të ndeshjes, ndërsa Lukaku e barazoi rezultatin pak para se të përfundonte pjesa e parë. Megjithatë, shpresat e Interit i shoi 17-vjeçari Ansu Fati, i cili u bë golashënuesi më i ri në histori të Ligës së Kampionëve.

 Kjo disfatë dhe fitorja e Dortmundit me rezultat 2:1 kundër Slavias bënë që Interi të eliminohet nga Liga e Kampionëve dhe të kthehet në Ligën e Evropës.

Shaw, i cili kishte luajtur bashkë me Lukakun për dy sezone në Manchester United para transferimin të belgut në San Siro në gusht, u tall me ish-bashkëlojtarin e tij në rrjetet sociale pas kësaj ndeshjeje.

Vetëm disa orë para se të fillonte ndeshja kundër Barcelonës, Lukaku e kishte publikuar një fotografi të tij duke qeshur gjatë një seance stërvitore, duke shkruar mbi të UCL (UEFA Champions League).

Pas dështimit të Interit në Ligën e Kampionëve, Shaw shkroi “Mirë se vjen sërish”, mbi postimin origjinal të belgut, duke u tallur me të.

Tani ka mundësi që Manchester Unitedi dhe Interi të përballen në fazën eliminatore të Ligës së Evropës, gjë që do t’ia jepte Lukakus kthimin në Old Trafford për një ndeshje. /Gazeta Express/