Ish-trajneri i Milanit, Sergio Conceicao, thotë se ndjen se nuk është mbështetur siç duhet nga drejtuesit e lartë të klubit gjatë periudhës së tij të shkurtër në stolin e San Siros sezonin e kaluar dhe ka theksuar “paqëndrueshmërinë në nivel klubi” që pengoi paraqitjet e skuadrës: “Pikërisht për këtë arsye jam krenar për atë që bëmë”.
Conceicao u emërua pasues i Paulo Fonsecas si trajner i Milanit më 30 dhjetor 2024.
Ky i fundit u shkarkua me skuadrën që ndodhej në vendin e tetë në renditjen e Serie A dhe me rrezik serioz për të mbetur jashtë zonës europiane.
Mandati i Conceicaos nisi në mënyrën më të mirë të mundshme: fitore 2-1 ndaj Juventusit dhe më pas 3-2 ndaj Interit në dy ndeshjet e para në krye të skuadrës, duke kulmuar me fitimin e trofeut të Superkupës së Italisë.
“I mbaj mend ato ditë, punë intensive me analiza video dhe biseda motivuese për të hyrë në mendjen e lojtarëve. Mundëm Juventusin e djalit tim Cisco dhe më pas Interin me përmbysje, qava,” tha Conceicao në një intervistë të fundit për “La Gazzetta dello Sport”.
Portugezi i shpjegoi “La Gazzettas” pse vendosi të pinte një puro në dhomat e zhveshjes pas fitores ndaj Interit në finalen e Superkupës së Italisë, një moment që më pas u bë viral në rrjetet sociale.
“Ishte një premtim,” tha ai. “Lojtarët kishin parë video dhe më kërkuan të pija një puro nëse fitonim. E kisha bërë 11 herë me Porton pas fitimit të trofeve, më shumë se çdo trajner tjetër. Kështu që e bëra sërish”.
Conceicao, i cili tani është trajner i Al-Ittihad në Saudi Pro League, u pyet për parashikimet e tij para finales së Superkupës së Italisë të së hënës mbrëma mes Napolit dhe Bolognës.
“Nuk kam asnjë favorit dhe as nuk dua të flas për lojtarë të veçantë, sepse pastaj do të shkruajnë se jemi të interesuar për t’i transferuar,” tha ai me të qeshur.
“Do ta shikoj ndeshjen, Bologna dhe Napoli janë të dyja shumë të bukura për t’u parë. Dueli mes Contes dhe Italianos do të jetë një reklamë për futbollin italian. Antonio është obsesiv, si unë, dhe shpesh obsesioni e mposht talentin. Ndërsa Vincenzo, nga ana tjetër, luan futboll shumë të bukur, aq sa humbëm finalen e Kupës së Italisë ndaj tij vitin e kaluar, gjë që ishte një keqardhje e madhe”, tha ai.
Edhe pse periudha e tij te Milani nisi shkëlqyeshëm, Conceicao u shkarkua në fund të sezonit 2024/25 pas një përfundimi në vendin e tetë, që nuk mjaftoi për kualifikim në asnjë kompeticion europian.
Pavarësisht renditjes përfundimtare, Conceicao e përshkruan kohën e tij në krye të Milanit si: “Pozitive”.
Ai shpjegoi: “Nga viti 2016 e deri tani, vetëm dy trajnerë kanë fituar trofe me Rossonerët: Pioli me Scudetton dhe unë. Nëse mbledhim pikët e periudhës sime atje, ishim në ritëm për Europa League, në vendin e pestë.
“Rezultatet ishin aty, mendoj për dy derbit që fituam dhe fitoren ndaj Romës. Më vjen keq për finalen e Kupës së Italisë, por kishte disa gjëra që nuk më pëlqyen.”
I pyetur të shpjegonte më tej, Conceicao tha: “Kishte paqëndrueshmëri në nivel klubi, atmosfera rreth ekipit nuk ishte e mirë. Prandaj jam krenar për atë që bëmë.
“Gjithashtu, drejtuesit nuk më mbështetën. Po ju jap një shembull: pasi fituam Superkupën, luajtëm kundër Cagliarit. Edhe atëherë, thashethemet kishin nisur se klubi po ndiqte trajnerë të tjerë. Unë isha i përqendruar te puna e fortë dhe te fitoret. Nuk kisha kohë të rregulloja gjërat në çdo nivel.”
Dhe kur u pyet nëse do të kishte qëndruar te Milani në rrethana të tjera, Conceicao u përgjigj: “Po, me disa ndryshime.”
A mendon Conceicao se lojtarët e Milanit e zhgënjyen apo madje e tradhtuan?
“Kurrë, përkundrazi, ata ishin me mua,” u përgjigj Conceicao. “Theo (Hernandez) e tha edhe në një intervistë të mëparshme: pas Feyenoordit, kur njerëzit thanë se ishte ndëshkuar me karton të kuq me qëllim, unë e mbrojta. Shumë prej tyre më shkruan pasi u largova.
“Unë kërkoj rigorozitet, intensitet, por edhe relaks kur është koha për t’u çlodhur. Nëse dikush vjen me vonesë, ose me një kilogram më tepër, apo diçka të tillë, nuk e duroj dot. Për mua, në fund të ditës, të gjithë lojtarët janë njësoj”, përfundoi ai./GazetaExpress/