Policia e Kosovës, ka njoftuar se në pikën kufitare Dheu i Bardhë janë gjetur dhe janë sekuestruar mbi 122,000 euro dhe mbi 4,000 lei rumunë.
Në njoftim bëhet e ditur edhe se parat janë gjetur në një veturë të tipit BMW, e cila kishte hyrë në Republikën e Kosovës përmes Serbisë, ndërsa në të ndodheshin shoferi dhe tre pasagjerë, të gjithë shtetas të Rumanisë.
Komunikata:
Prishtinë, 29 prill 2026
Policia Kufitare e Drejtorisë Rajonale Lindje, SPK Dheu i Bardhë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, gjatë kontrollit në vijën e dytë, ka ndaluar për kontroll të detajuar një automjet të tipit BMW, ngjyrë e zezë.
Automjeti kishte hyrë në Republikën e Kosovës përmes Serbisë, ndërsa në të ndodheshin shoferi dhe tre pasagjerë, të gjithë shtetas të Rumanisë.
Personat e dyshuar fillimisht kanë deklaruar se nuk kanë asgjë për të deklaruar. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar nga zyrtarët policorë dhe ata të Doganës së Kosovës, duke përdorur pajisje të specializuara, përfshirë video-kamerë kontrolli, në pjesë të ndryshme të automjetit është zbuluar një sasi e konsiderueshme parash të fshehura.
Janë gjetur dhe janë sekuestruar mbi 122,000 euro dhe mbi 4,000 lei rumunë. Mjetet monetare të sekuestruara i janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës konfirmon përkushtimin e saj në luftimin e veprimtarive ilegale që dëmtojnë ekonominë e vendit dhe interesin e qytetarëve, duke riafirmuar vendosmërinë për të vepruar me efikasitet në parandalimin dhe luftimin e çdo veprimtarie të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës.