Interesimi për t’u bërë pjesë e Kupës së Botës 2026 është i jashtëzakonshëm, pasi FIFA e ka marrë një numër rekord aplikimesh për programin e vullnetarëve.
Sipas raportimeve, mbi një milion persona kanë aplikuar për të qenë pjesë e këtij eventi madhor, duke e kthyer këtë në programin më të madh të vullnetarizmit në historinë e FIFA-s, përcjell “Gazeta Express”.
Nga kjo shifër e madhe, FIFA pritet t’i përzgjedhë rreth 50 mijë vullnetarë që do të angazhohen gjatë turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Vullnetarët do të kenë role të ndryshme, duke e përfshirë organizimin e ndeshjeve, asistencën për tifozët, mbështetjen logjistike dhe ndihmën për mediat.
Ky program konsiderohet si “zemra” e organizimit të eventeve të mëdha të FIFA-s.
Pavarësisht se nuk paguhen, pjesëmarrësit përfitojnë eksperiencë të veçantë, uniforma zyrtare, ushqim gjatë turneve dhe mundësinë për të qenë pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë.
Procesi i përzgjedhjes e përfshin aplikimin online, intervista dhe trajnime specifike për rolet përkatëse.
Kandidatët duhet të jenë nga 18 vjeç deri në 80-vjeç dhe të kenë njohuri bazë të gjuhës angleze, ndërsa njohja e gjuhëve të tjera konsiderohet avantazh.
Numri i madh i aplikimeve tregon qartë se interesimi global për Kupën e Botës 2026 është në nivele rekord, duke e konfirmuar edhe një herë madhështinë e këtij kompeticioni. /Gazeta Express