Schwarz beson te Gyokeres - Gazeta Express
string(25) "schwarz-beson-te-gyokeres"

Futboll

Gazeta Express

03/07/2026 14:39

Schwarz beson te Gyokeres

Futboll

Gazeta Express

03/07/2026 14:39

Ish-mesfushori i Arsenalit dhe Suedisë, Stefan Schwarz, beson se Viktor Gyokeres mund ta tregojë versionin e tij më të mirë te Arsenali gjatë sezonit 2026/27, pavarësisht se nuk e konsideron atë një sulmues “elegant” apo klasik.

Gyokeres iu bashkua Arsenalit në verën e vitit 2025, pas një periudhe fantastike te Sportingu i Lisbonës, ku kishte shënuar 97 gola në 102 ndeshje. Transferimi i tij mund t’i kushtojë “Topçinjve” mbi 66 milionë funte, nëse aktivizohen të gjitha bonuset e marrëveshjes.

Në sezonin e tij të parë në “Emirates”, sulmuesi suedez kontribuoi me 21 gola në të gjitha garat, duke ndihmuar Arsenalin ta fitonte titullin në Premier League për herë të parë pas 22 vitesh. Skuadra e Mikel Artetës arriti gjithashtu deri në finalen e Ligës së Kampionëve, ku u mposht nga Paris Saint-Germain.

Megjithatë, pavarësisht shifrave të mira, Gyokeres ende nuk i ka bindur të gjithë se është trashëgimtari i duhur i sulmuesve të mëdhenj që kanë shkëlqyer dikur te Arsenali, si Ian Wright, Thierry Henry apo Robin van Persie.

Schwarz, megjithatë, ka një mendim pozitiv për bashkëkombasin e tij. Ai thotë se Gyokeres nuk është sulmuesi më teknik apo më elegant, por ka cilësi shumë të rëndësishme për një ekip që synon trofe.

“Ai është një tip tjetër lojtari. Mund ta krahasojmë me Brian Brobbey te Sunderland. Ka prezencë shumë të fortë fizike, i pëlqen dueli, dëshiron ta ndiejë kundërshtarin dhe e bën shumë të vështirë punën për mbrojtësit”, ka thënë Schwarz për GOAL.

“Ai nuk është një sulmues klasik me driblimet më të mira, por për një sezon të suksesshëm duhen lojtarë të ndryshëm. Mendoj se në tre muajt e fundit të sezonit tregoi se ishte përshtatur. Filloi të shënonte dhe u bë shumë produktiv”, shtoi ai.

Arsenali vazhdon të monitorojë tregun për përforcime në sulm, ndërsa emra si Julian Alvarez janë lidhur me një kalim të mundshëm në Londrën veriore. Megjithatë, argjentinasi thuhet se preferon Barcelonën, gjë që mund t’i japë Gyokeresit më shumë hapësirë për ta forcuar pozitën e tij si numri 9 i Arsenalit.

Pas eliminimit të Suedisë nga Franca në fazën e 1/16 së Botërorit 2026, Gyokeres do të ketë mundësi të jetë plotësisht i gatshëm për fazën përgatitore me Arsenalin. Ai pritet ta nisë sezonin e ri me duelin e Community Shield ndaj Manchester Cityt më 16 gusht, para ndeshjes hapëse të Premier League kundër Coventryt, klub ku më parë kishte lënë gjurmë në futbollin anglez. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement