Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, beson se skuadra e tij mund të marrë një lloj drejtësie karmike në stadiumin “Azteca”, katër dekada pas golit të famshëm dhe shumë të diskutuar të Diego Maradonës, të njohur si “Dora e Zotit”.
Teksa Anglia përgatitet të përballet të dielën me Meksikën, një nga nikoqirët e Kupës së Botës 2026, në fazën e 1/8 së finales, Tuchel shpreson që lojtarët e tij t’i largojnë hijet e vitit 1986 dhe të bëjnë paqe me një prej stadiumeve më ikonike në historinë e futbollit.
Sipas “The Athletic”, Tuchel mendon se Anglisë i takon një moment fati në rikthimin e saj në “Azteca”, stadiumi ku u zhvillua çerekfinalja e Botërorit 1986 mes Anglisë dhe Argjentinës. Në atë ndeshje, Maradona shënoi golin famëkeq me dorë, i cili ndihmoi Argjentinën të fitonte 2-1.

Para ndeshjes së madhe eliminatore kundër Meksikës, Tuchel ka thënë se kujtimi i atij momenti kontrovers mund t’i motivojë lojtarët e tij.
“Do të na shpërblejë”, tha Tuchel. “Do ta marrim mbrapsht. Është karma. Karma do të kthehet në anën tonë. Do ta përmbysim historinë.”
Tuchel ishte vetëm 13 vjeç gjatë Kupës së Botës 1986, por kujtimet nga ajo ndeshje mbeten të gjalla. Duke folur për Maradonën, ai tha: “Dy gola kundër Anglisë: njëri me driblim, ndërsa tjetri nuk do të pranohej kurrë sot.”
Me fotografitë e Gary Linekerit dhe Peter Shiltonit të vendosura në “St George’s Park”, trajneri gjerman dëshiron që skuadra e tij të shkruajë një kapitull të ri në historinë e Anglisë.
“Ky është një moment i madh për të bërë paqe me stadiumin dhe për ta kthyer situatën në favorin tonë”, shtoi Tuchel.
Megjithatë, ai e pranon se përballja me Meksikën në tokën e saj do të jetë jashtëzakonisht e vështirë.
“Është një stadium ikonik. Është një ndeshje ikonike të luash kundër Meksikës në Meksikë. Do të jetë kundër një vendi të tërë, kundër energjisë së gjithë stadiumit në vendin e tyre”, tha ai.

Përveç peshës historike, Anglia ka edhe shqetësime fizike para kësaj ndeshjeje. Pas fitores ndaj Republikës Demokratike të Kongos në raundin e 32 më të mirave, Tuchel konfirmoi se Declan Rice luajti me dhimbje në triumfin 2-1.
Anglia ishte pranë një eliminimi të hershëm, pasi pësoi gol në minutën e shtatë, por Harry Kane shënoi dy herë në fund për t’ia siguruar kualifikimin skuadrës së tij.
“E pyeta Declanin dhe ai më tha: ‘Mund ta bëj për ekipin, por kam dhimbje të tmerrshme’”, shpjegoi Tuchel.
“Kur Declan të thotë se ka dhimbje të tmerrshme, atëherë e kupton se nuk mund të vazhdojë më. Ishte mirënjohës që e zëvendësuam, por pas ndeshjes tha se nuk është diçka serioze. Nuk ka lëndim, mendoj se do të rikuperohet. Është më shumë dhimbje nervore.”
Anglia tani ka përpara një sfidë të madhe, teksa do të zbresë në fushën e shenjtë të “Azteca”-s të dielën. Tuchel duhet të vendosë për formacionin titullar, ndërsa në të njëjtën kohë do të monitorojë gjendjen e lojtarëve kryesorë.
Skuadra angleze do të udhëtojë në Meksikë një natë më herët për t’u përshtatur me lartësinë e vështirë prej rreth 2,200 metrash mbi nivelin e detit. Për ta kaluar këtë pengesë fizike dhe presionin e madh të tifozëve vendas, Anglisë do t’i duhet përqendrim maksimal nëse dëshiron të sigurojë një vend në çerekfinale, ku mund të përballet me Brazilin ose Norvegjinë. /GazetaExpress/
Fluturime nga Baseli për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...