Lionel Scaloni ka hedhur poshtë shqetësimet se Argjentina po mbështetet tepër te Lionel Messi, para përballjes së parë me eliminim direkt në Kupën e Botës ndaj Kepit të Gjelbër në Miami.
Kapiteni argjentinas shkëlqeu në fazën e grupeve, duke shënuar gjashtë gola, por trajneri i kampionëve të botës këmbëngul se kjo nuk është arsye për alarm. Sipas tij, për sa kohë skuadra luan mirë dhe fiton, nuk ka rëndësi se kush i shënon golat.
Argjentina e mbylli Grupin J me rekord perfekt, me tri fitore nga tri ndeshje, ndërsa në takimin e fundit mposhti Jordaninë 3-1 në Dallas. Tani, “Albiceleste” do të përballet me debutuesit e Kepit të Gjelbër, një prej surprizave më të mëdha të turneut.

Pavarësisht se kundërshtari kaloi tutje me tri barazime radhazi, Scaloni paralajmëron se faza me eliminim direkt është krejt tjetër histori.
“Jemi mirë dhe natyrisht të emocionuar si të gjithë. Kemi përballë një kundërshtar që duhet respektuar. Ata kanë bërë gjëra shumë të mira dhe tani marzhi i gabimit po zvogëlohet. Kush humb, shkon në shtëpi”, deklaroi Scaloni.
Trajneri argjentinas theksoi se Messi është mësuar të luajë në çdo lloj rrethane dhe pritet të jetë sërish pjesë e rëndësishme e skuadrës.
“Messi ka luajtur për ne në kushte nga më të ndryshmet, prandaj mendoj se do të jetë në fushë. Do të varet nga ndeshja dhe nga ai. Kemi pasur raste edhe me lojtarë të tjerë, por Leo, si një nga sulmuesit tanë, i ka shënuar golat. Kjo nuk më shqetëson. Do të doja që golat të shpërndaheshin më shumë, por për sa kohë ekipi luan mirë dhe fiton, gjithçka është në rregull”, tha ai.
Scaloni foli me shumë respekt edhe për Kepin e Gjelbër, një skuadër që ende nuk ka pësuar humbje në këtë Botëror. Sipas tij, kundërshtari mbrohet mirë, mbyll hapësirat në qendër dhe është shumë i rrezikshëm në kundërsulm.

“Kepi i Gjelbër është një ekip që nuk ka humbur. Madje, ndaj Arabisë Saudite e meritoi fitoren. Kundër Spanjës dhe Uruguait vuajtën më shumë, por u mbrojtën mirë. I mbyllin mirë linjat e pasimit në qendër dhe janë shumë të rrezikshëm në tranzicion. Kanë lojtarë teknikë dhe janë një skuadër e mirë. Nuk janë këtu rastësisht”, shtoi Scaloni.
Argjentina hyn në fazën me eliminim direkt si një prej favoriteve kryesore për titull, por e di se përballë një kundërshtari të organizuar do t’i duhet durim i madh. Kushtet e vështira klimatike në Miami mund ta bëjnë ndeshjen edhe më të komplikuar, sidomos duke pasur parasysh se shtatë nga 13 ndeshjet e fundit të Argjentinës me eliminim direkt në Botëror kanë shkuar në kohë shtesë.
Për kampionët e botës, çelësi do të jetë ruajtja e qetësisë, shmangia e gabimeve dhe gjetja e mënyrës për ta thyer një mbrojtje të fortë, pa u varur vetëm nga magjia e Messit. /GazetaExpress/