Klubi i Futbollit Ulpiana ka nisur me intensitet përgatitjet për sezonin 2026/27, duke reflektuar një atmosferë të re optimizmi dhe ambiciesh pas ndryshimeve në drejtimin e klubit.
Nën udhëheqjen e kryesisë së re, me kryetar Fitim Dragaqina, në klub është krijuar një frymë e re pune dhe besimi, duke rikthyer optimizmin te futbollistët dhe tifozët për të ardhmen e një klubi me traditë si Ulpiana.
Synimi i klubit nga Lipjani është i qartë, rikthimi në Ligën e Parë si një hap drejt rikthimit në nivelet më të larta të futbollit në vend.
Në aspektin sportiv, skuadra po zhvillon përgatitjet nën drejtimin e trajnerit kryesor Fadil Ademi dhe stafit të tij teknik. Me disiplinë, përkushtim dhe punë të vazhdueshme, futbollistët po ndërtojnë bazat për një sezon konkurrues, ku çdo stërvitje shërben për forcimin e grupit dhe realizimin e objektivave.
Përveç organizimit të ri, drejtuesit e klubit kanë punuar edhe në përforcimin e skuadrës. Ulpiana ka rikthyer disa futbollistë që më parë kanë veshur fanellën bardhekaltër, ndërsa njëkohësisht ka afruar edhe lojtarë të rinj, me synimin për të krijuar një ekip sa më cilësor dhe konkurrues.