Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arianit Salihu, në emisionin “Tempus” në T7, ka konfirmuar gjetjet e raporteve të IKD-së lidhur me sfidat në sistemin e drejtësisë.
Salihu theksoi se gjetjet për rrethanat lehtësuese dhe rënduese janë faktike.
“Gjetjet nga këto raporte kanë konstatuar gjendjen faktike. Me ndryshimet e Kodit të Procedurës është shtuar edhe një obligim që në momentin kur ngrihet aktakuza, aty përcaktohen rrethanat lehtësuese dhe rënduese”, është shprehur Salihu.
Ai shtoi se në disa raste, në bazë të raporteve, janë propozuar rrethana lehtësuese dhe rënduese, por vlerësimi i tyre mbetet çështje e prokurorit.
“Pra, në gjetjet e raportit, në mostra të caktuara janë propozuar rrethana lehtësuese dhe rënduese. A janë ato të strukturuara apo formale, pastaj është çështje e prokurorit se si i ka vlerësuar”, ka thënë Salihu.
Megjithatë, zëvendëskryeprokurori theksoi se vendimin përfundimtar për këto rrethana e merr gjykata.
“Është obligim krucial i gjykatës që t’i vlerësojë rrethanat lehtësuese ose rënduese në vendim”, shtoi Salihu.