Mohamed Salah tashmë është zyrtarisht lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me Liverpoolin ka skaduar, ndërsa sulmuesi egjiptian vazhdon të lidhet me destinacionin e tij të ardhshëm.
Salahu njoftoi largimin nga Liverpooli në muajin mars, kur publikoi një video emocionale në rrjetet sociale, ku reflektoi mbi nëntë vitet e jashtëzakonshme që kaloi në “Anfield”.
34-vjeçari u shndërrua në një nga anësorët më të mirë në historinë e Premierligës, duke regjistruar 195 gola dhe 93 asistime në 328 paraqitje në elitën e futbollit anglez.
Megjithatë, fundi i aventurës së tij te Liverpooli u zbeh nga marrëdhënia me Arne Slot.
Salahu e kritikoi publikisht trajnerin holandez për taktikat e tij dhe u shpreh se ishte ndjerë sikur klubi e kishte “flijuar” atë.
Slot u shkarkua në fund të muajit maj dhe u zëvendësua nga Andoni Iraola, por dëmi tashmë ishte bërë dhe sulmuesi kishte vendosur të largohej nga Merseyside.
Që atëherë, Salahu është lidhur me një transferim te gjiganti turk Fenerbahçe, ndërsa vazhdojnë edhe spekulimet për një kalim në Ligën Profesionale Saudite, pasi ai ishte shumë pranë transferimit te Al-Ittihad në një marrëveshje rekord gjatë vitit 2023.
Kalimi në Arabinë Saudite duket si opsioni më i mundshëm për veteranin dhe, sipas gazetarit Sacha Tavolieri, Al-Ahli po shtyn fort për ta transferuar atë si zëvendësues të Riyad Mahrez.
Sipas Tavolierit, Al-Ahli e sheh Salah si “zëvendësimin ideal” për fituesin pesë herë të Premierligës, i cili realizoi 37 gola dhe dha 50 asistime në 122 ndeshje për klubin pas transferimit nga Manchester City në vitin 2023.
Gjiganti saudit ka paguar 12.4 milionë funte për të liruar Mahrez nga kontrata e tij, gjë që mund t’i hapë rrugën ofertës së një page marramendëse për Salah.
Aktualisht, Salah ndodhet me kombëtaren e Egjiptit në Kupën e Botës, ku ka shkëlqyer me një gol dhe dy asistime në tri paraqitjet e para.
Kontributi i tij ndihmoi Egjiptin ta mbyllte Grupin G në vendin e dytë, pas Belgjikës, dhe tani do të përballet me Australinë në fazën e 1/16 së finales të premten.
Për Salahun, kjo është një tjetër mundësi për të shkruar histori me kombëtaren e tij, e cila nuk ka arritur kurrë të kalojë fazën e 1/8 së finales në Kupën e Botës.
Ndërkohë, paraqitjet e tjera të mira mund t’i hapin edhe më shumë dyer në merkato, pasi presidenti i Al-Ahli, Khaled Al-Eissa, e ka dhënë tashmë miratimin për një transferim të mundshëm të yllit egjiptian.
“Futbolli saudit, nën vizionin e Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, është i interesuar për të gjithë lojtarët ndërkombëtarë. Vizioni i Princit të Kurorës e ka bërë Mbretërinë një destinacion të preferuar për futbollistët dhe shumica e lojtarëve dëshirojnë të luajnë këtu,” deklaroi Al-Eissa në vitin 2025.
“Ne jemi të interesuar për të gjithë lojtarët ndërkombëtarë. Kapiteni Mohamed Salah është padyshim në krye të listës sonë dhe do të ishim të lumtur ta kishim në Arabinë Saudite. Me dëshirën e Zotit, në momentin e duhur, ai do të jetë pjesë e njërit prej klubeve saudite.”
Për këtë arsye, një transferim i legjendës së Liverpoolit pritet të jetë i mundur sapo të përfundojë ajo që mund të jetë fushata e tij e fundit në Kupën e Botës, një lëvizje që padyshim do të gëzonte të gjithë te Al-Ahli./GazetaExpress/