Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, raportohet se është nën hetim nga policia italiane si pjesë e një hetimi për prostitucion me të mitur.
Bastoni, 27 vjeç, thuhet se po hetohet nga prokuroria e Milanos në kuadër të një hetimi mbi prostitucionin me të mitur në Itali.
Ai dyshohet se ka pasur një marrëdhënie seksuale me një vajzë 17-vjeçare.
Sipas mediumit italian “La Gazzetta dello Sport”, prokuroria e Milanos po heton një agjenci eskortash në qytet.
Raporti pretendon se agjencia, e quajtur “Ma.De Escort Agency”, organizon festa dhe evente ku argëtohen futbollistë dhe persona të tjerë të njohur (VIP).
Deri më tani, Bastoni është futbollisti i vetëm që besohet se është nën hetim në lidhje me këtë çështje.
Sipas dokumenteve të hetimit, ngjarja e dyshuar lidhet me një takim të zhvilluar në qershor të vitit 2020 mes reprezentuesit italian dhe vajzës, e cila në atë kohë ishte 17 vjeçe.
Sipas artikullit, mosha ligjore e pëlqimit në Itali është 18 vjeç dhe Bastoni pritet të merret në pyetje në ditët në vijim.
Hetuesit pretendojnë se kanë si provë biseda në aplikacione komunikimi, përfshirë një mesazh që daton nga qershori i vitit 2020, i cili thuhet se dëshmon kontaktin mes tyre.
Megjithatë, kur është marrë në pyetje si dëshmitare, vajza raportohet se ka mohuar të ketë pasur një marrëdhënie me Bastonin.
Si pjesë e hetimit, policia italiane thuhet se ka thirrur edhe mbrojtësin e Arsenalit, Riccardo Calafiori, si dhe Daniel Maldinin dhe Kevin Bonifazin, por vetëm në cilësinë e dëshmitarëve.
Është e rëndësishme të theksohet se asnjëri prej këtyre tre futbollistëve nuk është nën hetim për ndonjë vepër penale dhe janë thirrur vetëm për të dhënë informacione që mund të ndihmojnë hetimin.
“Klienti im mohon se ka pasur ndonjë marrëdhënie me një vajzë për të cilën e dinte se ishte e mitur,” citohet të ketë deklaruar Salvatore Scuto, avokati që përfaqëson Alessandro Bastonin, për agjencinë italiane të lajmeve “Agenzia Giornalistica Italia”.
“Thirrja për t’u paraqitur të premten, më 3 korrik, është e paplotë; ne nuk dimë asgjë për hetimin. Do të vendosim nëse do t’u përgjigjemi apo jo prokurorëve.”
Deri në këtë fazë, ndaj Bastonit nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare.
Bastoni është pjesë e Interit që nga viti 2017, ndërsa më parë ka luajtur në formë huazimi te Atalanta dhe Parma.
Së fundmi, ai është lidhur me një transferim të mundshëm te Real Madrid, ku mund të punojë nën drejtimin e trajnerit të ri, Jose Mourinho./GazetaExpress/