A do të mbeten pushimet e hidratimit edhe në Botëroret e ardhshme? - Gazeta Express
string(65) "a-do-te-mbeten-pushimet-e-hidratimit-edhe-ne-boteroret-e-ardhshme"

Futboll

Gazeta Express

01/07/2026 17:00

A do të mbeten pushimet e hidratimit edhe në Botëroret e ardhshme?

Futboll

Gazeta Express

01/07/2026 17:00

FIFA është kritikuar ashpër nga tifozët, të cilët e akuzuan se “ka gënjyer” lidhur me pushimet për hidratim gjatë ndeshjes së fazës së 1/16 së finales së Kupës së Botës mes Meksikës dhe Ekuadorit.

Pak para fillimit të ndeshjes, përballja në stadiumin Azteca u shty për një orë për shkak të stuhive në zonën përreth.

Ndeshja nisi në orën 20:00 sipas kohës lokale dhe bashkëorganizatorja Meksika fitoi me rezultatin 2-0 falë golave të Julian Quinones dhe Raul Jimenez.

Mbrojtësi i Arsenalit, Piero Hincapie, u përjashtua me karton të kuq në minutat shtesë, pasi mbuloi gojën në mënyrë konfrontuese gjatë një debati, duke u bërë lojtari i dytë në Kupën e Botës që ndëshkohet për shkeljen e rregullit të ri të FIFA-s.

Para ndeshjes, FIFA njoftoi shtyrjen dhe deklaroi se do të “ndiqte protokollet e sigurisë të përcaktuara nga autoritetet lokale”, duke shtuar se “ndeshja do të fillojë sapo të jetë e sigurt”.

Në deklaratën zyrtare thuhej gjithashtu se “nuk do të ketë pushime për hidratim gjatë kësaj ndeshjeje” si pasojë e vonesës së shkaktuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike.

Këto pushime zhvillohen në mes të secilës pjesë dhe zgjasin tre minuta, duke u dhënë lojtarëve mundësinë të konsumojnë lëngje dhe të marrin udhëzime taktike nga trajnerët.

FIFA e kishte justifikuar futjen e këtyre pushimeve me “mirëqenien e lojtarëve”, për shkak të temperaturave të larta në Amerikën e Veriut.

Megjithatë, këto ndërprerje janë kthyer edhe në një burim të rëndësishëm të ardhurash për transmetuesit televizivë, pasi u lejojnë të transmetojnë reklama. Raportohet se Fox ka përfituar shuma të mëdha nga hapësirat reklamuese gjatë këtyre pushimeve.

Por, pavarësisht deklaratës fillestare, FIFA ndryshoi shpejt qëndrim dhe ndeshja u ndërpre në dy raste, edhe pse temperatura ishte rreth 14 gradë Celsius dhe gjatë gjithë kohës binte shi.

Deklarata zyrtare u përditësua më vonë dhe versioni i ri nuk përmbante më asnjë përmendje të pushimeve për hidratim.

Ky veprim shkaktoi reagime të forta nga tifozët, të cilët prisnin të shikonin një ndeshje pa ndërprerje të tilla.

Në Kupat e Botës të viteve 2014 dhe 2018, pushimet për hidratim përdoreshin vetëm kur temperaturat ishin shumë të larta.

Megjithatë, në Kupën e Botës 2026, pothuajse çdo ndeshje ka pasur këto ndërprerje, duke i bërë takimet të ngjajnë me katër çerekë, në stilin e NBA-së ose NFL-së.

Fitorja 3-0 e Francës ndaj Irakut mbetet përjashtimi i vetëm, pasi ishte ndeshja e vetme që nuk pati dy pushime për hidratim. Në pjesën e dytë nuk u zhvillua ndërprerja e zakonshme për shkak të një vonese të gjatë të shkaktuar nga moti.

Shumica e tifozëve besojnë se këto pushime po e prishin ritmin dhe intensitetin e ndeshjeve.

Sipas “City AM”, pushimet për hidratim do të vazhdojnë edhe në 18 ndeshjet e mbetura të turneut dhe ka shumë gjasa të mbeten pjesë e futbollit edhe në të ardhmen.

Mediumi raporton se temperaturat në Kupën e Botës 2030, që do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, pritet të jenë edhe më të larta se ato të turneut aktual.

Pas kësaj, edhe Kupa e Botës 2034 në Arabinë Saudite pritet të luhet në kushte të nxehtësisë ekstreme. Duke cituar burime, City AM shkruan se FIFA planifikon ta rishikojë çështjen e pushimeve për hidratim pasi të përfundojë turneu.

Ndërkohë, UEFA ka bërë të ditur se në Euro 2028, që do të organizohet nga Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda, nuk do të ketë pushime për hidratim.

Advertisement
Advertisement
Advertisement