Manchester Unitedi është gati të investojë fuqishëm në merkaton e verës për t’i ndërtuar trajnerit Michael Carrick një mesfushë më të fortë fizikisht dhe më cilësore teknikisht.
Mesfushori brazilian Ederson i Atalantas pritet të jetë një nga afrimet e para të klubit.
Transferimi i tij raportohet të kushtojë rreth 45 milionë euro dhe vlerësohet shumë nga drejtori sportiv Jason Wilcox, i cili beson se braziliani është ideal për ritmin dhe intensitetin e Premierligës.
Megjithatë, objektivi më i madh i Unitedit në mesfushë mbetet Sandro Tonali.
Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, të cituara nga “Manchester Evening News”, Newcastle Unitedi kërkon rreth 115 milionë euro (100 milionë paund) për të lejuar largimin e mesfushorit italian.
Tonali thuhet se ka kërkuar largimin nga “St James’ Park” që nga janari, por Newcastle nuk ka asnjë nxitim për ta shitur, sidomos pas përfitimeve të mëdha financiare nga shitja e Anthony Gordonit te Barcelona.
Klubi anglez ndodhet në një situatë të mirë financiare dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm për një çmim më të ulët.
Tonali iu bashkua Newcastlet nga Milani për rreth 60 milionë paund në vitin 2023.
Sipas raportimeve, kërkesa prej 115 milionë eurosh nuk i tremb Manchester Unitedin, Arsenalin dhe Manchester Cityn, të cilat vazhdojnë ta ndjekin nga afër situatën.
Nëse transferimi realizohet, ai do të tejkalonte rekordin aktual të Manchester Unitedit për blerjen më të shtrenjtë, të vendosur nga Paul Pogba pas rikthimit të tij nga Juventusi.
Ndërkohë, Manchester City vazhdon ta ketë prioritet mesfushorin e Nottingham Forestit, Elliot Andersonin, por pas refuzimit të ofertës së parë, emri i Tonalit po konsiderohet si alternativë serioze.
Gazetari Fabrizio Romano ka raportuar se City e sheh italianin si plan rezervë në rast se nuk arrin marrëveshje me Nottingham Forestin.
Megjithatë, raportime të mëhershme sugjerojnë se vetë Tonali preferon një transferim te Manchester Unitedi, pasi beson se do të ketë më shumë hapësira dhe minuta në “Old Trafford”, diçka që ai e konsideron vendimtare për të ardhmen e tij./GazetaExpress/