Rusia të martën regjistroi rekord të ri të viktimave të koronavirusit për periudhë njëditore me 1.106 të vdekur gjatë 24 orëve të fundit.
Në tetë ditët e fundit, Rusia gjashtë herë ka shënuar rekord të viktimave. Përpos të vdekurve, task-forca qeveritare raportoi edhe 36.446 raste të reja infeksionesh, më pak se një ditë më parë.
Rusia ka vendosur që në javën e parë të nëntorit të mbyllen vendet e punës, ndërsa qyteti më i madh, Moska, do të vendosë izolim të pjesshëm nga 28 tetori, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Rusia ka shifrën e pestë më të madhe në botë të numrit të përgjithshëm të të infektuarve me mbi 8.3 milionë raste që nga fillimi i pandemisë.
Në përkeqësimin e gjendjes në javët e fundit besohet se kanë ndikuar drejtpërdrejt përhapja e variantit Delta, shkalla e ulët e vaksinimit e mungesa e masave më të ashpra kufizuese.
Vetëm rreth 36 për qind e rusëve janë vaksinuar plotësisht, pavarësisht faktit se shteti ka në dispozicion katër vaksina të ndryshme vendëse.