Trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, ka treguar detaje nga biseda që pati pas ndeshjes me sulmuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Folarin Balogun, pas përballjes së tensionuar në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës në Seattle.
Balogun e nisi ndeshjen si titullar për bashkorganizatorët e turneut, por nuk arriti të linte gjurmë, teksa Belgjika triumfoi bindshëm 4-1 falë dy golave të Charles De Ketelaere, si dhe realizimeve nga Hans Vanaken dhe Romelu Lukaku.
Lukaku dukej se e festoi golin e tij në kohën shtesë duke imituar lëvizjen e njohur të Donald Trumpit, vallëzimin që presidenti amerikan e bën shpesh nën ritmet e këngës “Y.M.C.A.” nga Village People.
Pas fishkëllimës së fundit, edhe llogaria zyrtare e Belgjikës në rrjetet sociale publikoi një fotografi të Lukakut me mbishkrimin: “Overturn this”, një mesazh që dukej si thumbim i qartë ndaj vendimit për aktivizimin e Balogunit në Seattle.
Para ndeshjes, FIFA kishte pezulluar dënimin prej një ndeshjeje të Balogunit, të marrë pas kartonit të kuq në fitoren 2-0 të SHBA-së ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Ky vendim erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump i kishte kërkuar personalisht FIFA-s ta rishikonte rastin.
Vendimi shkaktoi reagime të ashpra. UEFA e akuzoi FIFA-n se kishte “kaluar vijën e kuqe”, duke e cilësuar lëvizjen si “të pakuptueshme dhe të pajustifikueshme”. Ndërkohë, Federata Mbretërore e Futbollit të Belgjikës deklaroi se ishte “e habitur” nga ky zhvillim.
Para ndeshjes, edhe vetë Rudi Garcia e kishte bërë të qartë qëndrimin e tij.
“Nuk e dija që në Kupën e Botës, 5 korriku është në fakt 1 prilli, dita e gënjeshtrave”, tha ai me ironi. “Ne nuk po mbrojmë vetëm kombëtaren apo federatën. Ne po mbrojmë futbollin, etikën dhe integritetin e tij.”
Garcia: E vlerësoj që Balogun erdhi të fliste me mua
Edhe pse Garcia ishte shumë kritik ndaj vendimit të FIFA-s për ta pezulluar dënimin e Balogunit, ai theksoi se nuk mban asgjë personale ndaj sulmuesit të Monacos.
“Folarin Balogun erdhi të fliste me mua”, deklaroi Garcia në konferencën për media pas ndeshjes. “Më pëlqeu kjo gjë. Nuk është faji i tij. Ai nuk është personi që duhet fajësuar dhe këtë ia thashë edhe vetë. E vlerësoj që erdhi të fliste me mua.”
Edhe Balogun u pyet pas ndeshjes për polemikat rreth kartonit të kuq dhe vendimit të FIFA-s.
“Kur një vendim i tillë ndryshohet, sigurisht që do të ketë polemika”, tha ai para gazetarëve. “Për mua, nuk ishte diçka që më befasoi shumë. Por si lojtar, detyra ime është të dal në fushë dhe të fokusohem te puna ime.”
Pavarësisht gjithë zhurmës para ndeshjes, Belgjika e dha përgjigjen në fushë, duke e eliminuar SHBA-në me rezultat të thellë dhe duke kaluar në çerekfinale të Kupës së Botës. /GazetaExpress/