Në qershor, çmimet e shtëpive dhe apartamenteve shënuan rritje në mbarë vendin, ndërsa rajoni i Cyrihut regjistroi rritjen më të lartë mujore.
Çmimet e pronave rezidenciale në Zvicër vazhduan të rriten edhe gjatë muajit qershor, megjithëse dallimet mes rajoneve mbeten të dukshme, sipas raportit të publikuar të hënën nga portali i pasurive të paluajtshme Immoscout24, përcjell albinfo.ch.
Në baza vjetore, çmimi mesatar i shtëpive u rrit me 3.1 për qind, duke arritur në 8,011 franga për metër katror. Ndërkohë, çmimet e apartamenteve u rritën me 4.5 për qind, në 9,526 franga për metër katror.
Rritjen më të madhe mujore e regjistroi rajoni i Cyrihut, me 2.3 për qind, i ndjekur nga Zvicra Qendrore (1.7 për qind), Zvicra Veriperëndimore (1.5 për qind), Ticino (1.1 për qind) dhe rajoni i Gjenevës (0.4 për qind).