Rrëfimet e mësimdhënësve për pronarin e shkollës në Gjilan që u arrestua për mashtrim - Gazeta Express
string(85) "rrefimet-e-mesimdhenesve-per-pronarin-e-shkolles-ne-gjilan-qe-u-arrestua-per-mashtrim"

Rrëfimet e mësimdhënësve për pronarin e shkollës në Gjilan që u arrestua për mashtrim

Lajme

Gazeta Express

30/03/2024 0:02

Një pronar i një shkolle online e cila po dyshohet se u shfrytëzua për të mashtruar dhjetëra persona me profesione te ndryshme, kryesisht mësimdhënës, tashmë është arrestuar ndërsa nga KALLXO.com ka biseduar me disa nga mësimdhënësit të cilët kanë paralajmëruar padi ndaj të dyshuarit, tashmë i arrestuar.

Premtime për kontrata, paga të larta e mësime online janë disa prej premtimeve që tash e disa muaj, i dyshuari Driton Ajeti kishte bërë ndaj dhjetëra mësimdhënësve, psikologëve, sociologëve.

Lexo Edhe:

Në bazë të asaj që rrëfejnë punëtorët, pronari i shkollës online u kishte ofruar kontrata dhjetëra personave, ndërsa i kishte kushtëzuar ata që të ndjekin trajnime në vlerë të 100 eurove për të finalizuar kontratën.

Kjo ishte refuzuar nga shumica e atyre që kishin nisur tashmë procedurat e punësimit në këtë shkollë online.

Njëra nga mësimdhënëset e cila ka folur me ekipin e KALLXO.com në kushte anonimiteti ka rrëfyer se do të bëjnë denoncim në grup por që ende nuk janë mbledhur për të diskutuar për këtë çështje.

“Atë personin e kanë zanë dje policia. Jo nuk jemi ftuar ende (nga prokuroria), por po presim si grup me bë denoncimin për këtë, atë moment që formohet grupi për denoncim, atëherë ju njoftojmë. Na kemi qenë një grup që kemi qenë edhe me kontrata edhe kemi punuar, ne kemi punuar deri më 10 mars me kontrata që ka pas me na dalë rroga. Asnjë pagë nuk na është dhënë absolutisht. Më 10 mars 2024 e kam pritë pagën dhe nuk ka dalë dhe automatikisht jam tërheq nga shkolla online” – tha mësimdhënësja në një bisedë përmes telefonit për KALLXO.com.

Tutje ajo shtoi se nuk ka paguar trajnimet e obligueshme të cilat u janë kërkuar nga ana e stafit të shkollës online.

“Meqenëse unë dhe koleget e mia, i kemi bërë edhe incizimet e mësimeve dhe ato nuk janë lansuar asnjë, pra i kemi incizuar lëndët mësimore por kurrë nuk është hapur ajo platformë, ne nuk kemi pas asnjë qasje me nxënës. Ideja ka qenë që mësimet me u inciziu, e më pas me u publiku dhe ata që paguajnë me i dëgju këto mësime”- shton ajo.

E njëjta tha se kishte nënshkruar një kontratë në vlerë prej 800 eurove bruto.

“Krejt kemi qenë edhe në shkolla fizike të punësuara, në shkollën online ka qenë dytësore edhe rroga ka qenë dytësore, ka qenë e paraparë 17 minuta në javë me pas lëndë mësimore online”- shtoi ajo.

“Ai le t’i mban pasojat e veta, ne kemi rënë pre, ajo kuptohet, mund të jetë edhe një doktor edhe një inxhinier, një drejtor, por kjo ka ndodhur tashmë”- përfundoi mësimdhënësja.

Një tjetër grua e cila parashihej të punonte si edukatore, tregon se ishte tërhequr nga shkolla kur kishin nisur kërkesat për pagesa të trajnimeve dhe abonimit.

“Unë kam qenë edukatore aty, mësimdhënëse kanë qenë ato që kanë zhvilluar mësimin prej klasës 1-5, ndërsa unë kam qenë për fëmijët në parashkollorë. Kontratën e kam nënshkruar, por nuk e kemi shkëputë, sepse nuk kemi ditë kurrgjë”- tha ajo.

“Jo asgjë s’kemi punu, të paktën unë nuk kam fillu punën. Jo unë nuk e kam pagu hiç trajnimin, menjëherë si është kërkuar ajo pagesë, unë jam tërhequr menjëherë por nuk e kam shkëputur, as abonimin 12 euro nuk e kam bërë, në momentin që i kam parë këto jam tërhequr. Kur kam shku më ka ofru 4 orë për 400 euro dhe 8 orë me 800 euro. Dhe unë kam thënë 4 orë për 400 euro dhe kam bërë kontratë për atë, por punën nuk e pata fillu ende, të nesërmen më pas janë kërkuar shumat për trajnime dhe nuk vazhdova më” – shton tutje edukatorja.

Edukatorja rrëfen edhe se në një grup është diskutuar se do të bëhet denoncimi për shkak se ishte prekur privatësia e punëtorëve që tashmë kishin nënshkruar kontrata

“Në grup ka pasur plotë që kanë qenë të pajtimit me denoncu, sepse ato kontrata që i kemi bo, aty kanë qenë krejt të dhënat tona dhe numrat e xhirollogarisë, e secili thoshte që po preket privatësia”- thotë ajo.

Një mësimdhënëse tjetër e cila ka nënshkruar kontratë me këtë shkollë, e sapo diplomuar, tha se nga shoqëria dhe një familjare kishte kuptuar se ishte duke u hapur një shkollë private për fëmijët që janë në diasporë dhe i është thënë që duhet të ketë CV dhe diplomë për të aplikuar për punë në këtë shkollë.

“I kam ba gati, kam shku, kam apliku. Menjëherë më kanë marrë në intervistë aty edhe më kanë pranu menjëherë, diçka që m’u ka dok shumë, shumë e dyshimtë edhe e çuditshme” – tha mësimdhënësja, e cila nuk dëshiroi të identifikohet.

Ajo tregoi se çka kishte biseduar në një rast me tashmë të arrestuarin, Driton Ajetin.

“Kur kam shku aty, e kam nënshkruar kontratën, i kam ba pyetje atij drejtorit (Driton Ajetit), i kam thanë se qysh rrjedh kjo punë, çka kemi me ba, çka duhet me fillu me përgatit për shkak se jam kanë studente shumë e mirë, e thash që i fokusohem punës shumë. Po, ai (Driton Ajeti) nuk më ka dhënë kurrfarë përgjigje saktë, se çka kemi me ba, çfarë pune” – tregoi ajo.

Sipas saj, Ajeti i kishte thënë se duhej t’i përgatiste 36 tema të mësimit, të cilat do t’i zgjidhte vet dhe planin mësimor do ta përgatiste vet.

Këto tema tha se i kishte përgatitur dhe dërguar në shkollë.

“Prej këtu kanë fillu dyshimet e mia, për shkak se çdo kolege që kalojke, thojke u pranova në punë, edhe unë u pranova shumë lehtë” – tha ajo.

Por, ajo ende nuk e ka shkëputur kontratën.

Më 08.03.2024 tha se kanë pasur një ftesë nga shkolla, ku kanë shkuar për t’u informuar më shumë për kushtet e punës.

“Kemi dashtë me marrë informata se kanë me dalë pagat, a ka me vazhdu puna njëherë, na ka interesu neve ma së shumti. S’kemi marrë kurrfarë informata edhe jemi largu” – thotë ajo.

Në lidhje me pagesën prej 100 euro për trajnim që i kishin kërkuar, ajo tha se nuk kanë pranuar ta paguajnë.

Kurse, në lidhje me abonimin prej 12 eurosh në muaj për familjar për ta shfrytëzuar platformën e shkollës, personalisht tha se nuk e ka paguar.

“Atë letrën që ma dhanë që duhet me ba një pagesë prej familjes për një anëtar 12 euro me pagu, përmes bankës. D.m.th u kanë si kusht para se me fillu punën, secilit ia kanë dhanë atë letrën” – ka thënë ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar me një mesimëdhënëse tjetër, e cila ishte paraparë të punojë si psikologe në këtë shkollë, e cila e konfirmoi se paga e saj sipas kontratës do të ishte 800 euro.

Ajo ka thënë se është në grupin në platformën Viber, mirëpo që nuk ka punuar ndonjë ditë për këtë shkollë.

Në lidhje me trajnimin që u është kërkuar ta paguajnë 100 euro dhe abonimin në platformë të familjarëve me pagesë 12 euro në muaj, sipas informatave të saj, nuk e ka paguar askush.

“Meqë kemi pas dyshime qysh në fillim edhe për atë nuk kemi paguar kurrgjë hiç” – ka thënë ajo.

Ajo ndau informatën se dy-tri mësimdhënëse që janë deklaruar në grupin në Viber se kanë punuar për një deri dy muaj, kanë kërkuar që të paguhen.

As ky person nuk e ka shkëputur kontratën, pasi tha se një koleges së saj i kanë thënë se ato kontrata që i kishin nënshkruar në fillim nuk vlejnë më.

“Kur ka shku një shoqe e imja para meje, i kanë thanë që ato kontrata nuk vlejnë më, kanë me hy kontrata të reja, duheni edhe njëherë kontrata me nënshkru” – shtoi ajo.

Se a kanë bërë më kontrata të reja, ajo e ka mohuar.

Shumica e personave të kontaktuar nga KALLXO.com kanë thënë se deri më tani nuk janë intervistuar apo kontaktuar nga Policia për t’u deklaruar lidhur me rastin.

KALLXO.com ka siguruar disa mesazhe të grupit në Viber ku janë personat e konsideruar si staf i shkollës dhe ku figuron se Driton Ajeti ka kontaktuar me ta në këtë grup

Në bazë të këtyre mesazheve, një person i ka kërkuar Ajetit të bëheshin pagesat e muajit shkurt pasi që është deklaruar se ka punuar.

KALLXO.com ka kontaktuar me këtë person, e cili e ka konfirmuar se ka punuar dhe se ka pasur kontratë prej datës 10.02.2024, në vlerë 800 euro.

Puna e saj ka qenë në editimin e teksteve të mësimdhënësve me të cilat kanë pasur të mbajnë mësimin dhe i kanë dërguar në formë elektronike tek ajo.

Pra, ajo thotë se ka pasur edhe të tjerë që kanë punuar, përfshirë mësimdhënës që janë përgatitur për të mbajtur mësimin online.

“Çdo punim që e kam bo, çdo redaktim e kam shti në Cc edhe drejtorin (Driton Ajetin) edhe dy email që i ka pas ai, po ma vonë ka thanë kishe mu s’më ka ardhë asnjë punim” – ka thënë ajo.

Por, punonjësa nuk ka vlerësuar se do ta padisë Ajetin për këtë kohë që pretendon se ka punuar dhe nuk është paguar nga ai.

“Me thanë të drejtën s’kam dasht me çu ma larg për me çu në gjykatë ose diçka, kështu që s’kisha dasht me zgjatë ma shumë. Ata e kanë kap organet e rendit kështu që e vërteta veç po del në shesh” – u shpreh ajo.

Sipas mesazheve në grupin në Viber, Ajeti shihet se i ka reaguar punëtores më 11.03.2024 duke i thënë “Asnjë njësi e redaktuar nuk më ka ardhur. Sigurisht tunxhi i ruan për shantazh ose i ruan kur ta hapin albshkollen serbe”.

KALLXO.com ka lexuar mesazhe të tjera të këtij grupi, ku fjalën “tunxh” Ajeti vet e ka shpjeguar.

Më 10.03.2024, teksa u ka propozuar ta shohin filmin “Udha e shkronjave” këtyre personave që iu ka drejtuar si staf, Ajeti u kishte thënë se në këtë film do ta gjenin “Tunxhin”, një antishqiptar.

“Aty (në filmin – Udha e shkronjave) e gjeni Tunxhin, një antishqiptar që e vret atë që sillte shkronjat për shqiptarët, sikur ky i joni që tentoi të njollosë Albshkollen, shkollën e parë shqiptare online në botë” – ka shkruar Ajeti në grupin në Viber.

Më tej, në reagimin e tij ndaj punëtores që kërkoi pagën për muajin shkurt, Ajeti u ka kërkuar të kenë kujdes.

“Shyqyr që nuk e dini me kënd keni punë se as gjumi nuk iu merr. Për njerëz jam shumë i mirë. E për hajna e spiuna, gjarpër helmues. Unë iu ndihmoj e ju ofendoni e nxeni vrerë nga goja. Turp të keni. Keni kujdes” – i ka paralajmëruar Ajeti.

Në anën tjetër, një person i ka shkruar mesazh Ajetit në këtë grup duke e ka paralajmëruar se nëse nuk respektohet kontrata, pas datës 06.04.2024, ai do të përballet me ligjin ndaj një padie kolektive.

KALLXO.com raportoi gjate ditës së sotme se Policia në Gjilan ka kryer bastisje në një objekt i cili ishte marrë në shfrytëzim nga një person i dyshuar për mashtrim, i cili kishte hapur një shkollë online.

KALLXO.com mëson se sot  policia po bastis pronën që ishte marrë nga i dyshuari Driton Ajeti për të parë nëse ka prova dhe materiale që mund të shfrytëzohen në dosjen penale ndaj tij e cila tashmë ka nisur për veprën penale të mashtrimit.

Driton Ajeti, është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga ana e policisë në Gjilan nën dyshimet se ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësi i policisë në Gjilan, Ismet Hashani.

“Aktualisht jemi duke punuar në rast, hetuesit janë duke trajtuar rastin nuk mund të japim detaje për shkak se mund të pengohen hetimet por ajo çfarë mund të konfirmoj deri më tani është se i dyshuari është arrestuar për mashtrim”- tha Hashani.

KALLXO.com mëson se gjatë një aksioni të prokurorisë i cili është ndërmarrë gjatë ditës së djeshme është arrestuar i dyshuari dhe është dërguar në mbajtje ndërsa tashmë kanë nisur edhe veprime të tjera të ndërmerren.

I dyshuari, Driton Ajeti, po dyshohet për mashtrimin e dhjetëra mësimdhënësve, sociologëve e profesione të tjera.

Kjo pasi që i njëjti dyshohet se përmes një shkolle online tentoi që të mashtroj persona të ndryshëm për punësim.

KALLXO.com ka siguruar dhjetëra komunikime që kanë ndodhur në një grup me afër 400 anëtarë që pretendohet se janë mësues, socialogë, psikologë, juristë e profesione të tjera.

Të njëjtit kishin aplikuar në shkollën online e cila është hapur nga Driton Ajeti, ndërsa u ishte kërkuar që të paguanin trajnime të obligueshme për të marrë më pas edhe kontrata pune.

Javë më parë deri sa KALLXO.com po trajtonte këtë çështje dhe disa akuza që kishin ngritur ish- punonjës të kësaj shkolle online, pati kontaktuar me tashmë të arrestuarin. Ai kishte shpjeguar se si do të financohej shkolla online që pretendonte të mësonte të vegjël deri te moshat e shtyera.

“Shkolla financohet nga unë personalisht. Unë kam ardhur në Kosovë me diku 2.8 milionë euro pasuri timen, dhe pastaj financohet edhe prejklientëve që paguajnë 12 euro për vit, pra janë diku 180 mijë klientë që bëjnë përafërsisht mbi 2 milion euro. është biznes i regjistruar”- pati thënë Driton Ajeti më datë 08.03.2024 përmes telefonit me KALLXO.com.

Biznesi sipas tij do të funksiononte online dhe kishte target mosha të ndryshme duke nisur nga nxënësit e deri te moshat e shtyera.

Vetë Driton Ajeti, kishte konfirmuar për KALLXO.com se në shkollën online kishte rreth 400 të punësuar të profesioneve të ndryshme.

“99 përqind janë femra, financa kemi mjaftueshëm dhe pavarësisht secilës, ato i marrin rrogat nga data 1-5 prill”- shton ai.

Ideja e shkollës ishte sipas Driton Ajeti, që të mësohet gjuha shqipe, arti shqiptar, kultura tradicionale shqiptare.

Kur ishte pyetur për akuzat që kishte hedhur një ish- punonjës i shkollës, ai ishte arsyetuar se nuk po dëgjon dhe më pas nuk ishte përgjigjur më në telefon.

Avni Rudaku i cili kishte nënshkruar kontratë më 15 janar 2024 me shkollën online si konsulent për çështje mësimore ishte tërhequr nga kjo nismë duke ngritur edhe dyshimet e tij në lidhje me punën.

Ai nisi një shkrim të gjatë të publikuar në rrjetin social Facebook duke treguar edhe për disa çështje të cilat i hasi pasi u angazhua në këtë shkollë online.

Sipas tij shkolla kishte obliguar punëtorët që kishin nënshkruar kontratat që të paguanin disa trajnime apo kurse të obligueshme të cilat do të kushtonin 100 euro për person.

“Të nderuar, ju njoftojnë se asnjë person nuk do të ketë kontratë pa iu nënshkruar trajnimeve profesionale të obligueshme për secilin profil të organizuar nga vet kompania”- ishte një pjesë e një mesazhi që kishte publikuar Rudaku në e që ishte dërguar në një grup në rrjetin social tjetër “Viber”.

Sipas tij shkolla online kishte obliguar punëtorët që të paguanin edhe një tarifë prej 12 eurosh pa marrë pagat bazë ndërsa të njëjtit ishin kushtëzuar edhe për ndjekjen e trajnimeve në shumë prej 100 eurosh nën kushtëzimin dhe kërcënimin se nëse nuk bëjnë pagesat do tu ndërpriten kontratat e punës të cilat tashmë i kishin nënshkruar.

“Investimi me mjete financiare të punëtorëve, akoma edhe pa u bërë një muaj, është praktikë e panjohur dhe mund ta bëjë veç dikush që nuk i ka njohuritë elementare mbi etikën, ligjet në fuqi dhe konventat ndërkombëtare”- kishte shkruar Rudaku.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Rudakun por i njëjti pati thënë se ka bërë një reagim publik për këtë çështje dhe nuk do që të flas për të.

“E nderuar, e konsideroj të mbyllur. Detajet i ke në shkrimin tim”- pati thënë Rudaku më 11 mars 2024 për KALLXO.com.