Rooney dhe Quaresma me kritika të mëdha për yjet e mesfushës së Portugalisë - Gazeta Express
string(75) "rooney-dhe-quaresma-me-kritika-te-medha-per-yjet-e-mesfushes-se-portugalise"

Futboll

Gazeta Express

07/07/2026 17:05

Rooney dhe Quaresma me kritika të mëdha për yjet e mesfushës së Portugalisë

Futboll

Gazeta Express

07/07/2026 17:05

I cilësuar si mesfusha më e mirë në botë, treshja e artë e Portugalisë – Bruno Fernandes, João Neves dhe Vitinha – është kritikuar ashpër nga analistë dhe ish-futbollistë, pasi nuk arritën ta furnizonin Cristiano Ronaldon me topa dhe Portugalia u eliminua nga Kupa e Botës.

Para fillimit të turneut, të gjithë sytë ishin te Cristiano Ronaldo për të parë se si 41-vjeçari do të performonte me një mesfushë kaq cilësore pas tij.

Megjithatë, humbja 1-0 ndaj Spanjës vulosi eliminimin e Portugalisë në fazën e 1/8-ës së finales, shumë larg objektivit për të fituar trofeun, ndërsa Ronaldo i dha fund karrierës së tij në Kupat e Botës mes lotësh.

“Është e vërtetë, kjo ishte Kupa ime e fundit e Botës,” tha ai para ndeshjes, duke konfirmuar lajmin që ishte zbuluar më herët gjatë turneut nga motra e tij.

“Do të ketë kohë për të menduar për gjithçka tjetër, për të qenë me familjen time dhe nuk dua të marr vendime në momentet kur emocionet janë të forta. Jeta vazhdon”, tha ai.

Pas ndeshjes ai shtoi: “Kam fituar tre trofe me Portugalinë. Para Cristianos, Portugalia nuk kishte fituar asnjë trofe në histori. Fitova Euro 2016, që për mua është si të fitoja Kupën e Botës. Largohem me ndërgjegje të pastër dhe duke ditur se kam dhënë maksimumin për Portugalinë”.

Ikona portugeze arriti t’i japë fund një pritjeje 20-vjeçare duke shënuar më në fund në një ndeshje eliminatore të Kupës së Botës, por statistikat e publikuara pas sfidës me Spanjën treguan se ai pati shumë pak mbështetje nga bashkëlojtarët.

Pavarësisht se Portugalia kishte në sulm një nga golashënuesit më të mëdhenj në histori, statistikat zbuluan se João Neves dhe Vitinha nuk krijuan asnjë rast të vetëm për gol gjatë gjithë turneut.

Së bashku me Bruno Fernandesin, kjo treshe nuk regjistroi asnjë asistim, edhe pse Portugalia shënoi tetë gola në Kupën e Botës para eliminimit.

Duke komentuar ndeshjen për “BBC”, Wayne Rooney kritikoi veçanërisht Bruno Fernandesin, duke pretenduar se ai injoroi në disa raste mundësinë për të dërguar topin në zonë drejt Ronaldos, duke mos shfrytëzuar pikat e tij më të forta.

“Nëse luan me Cristiano Ronaldon, duhet ta përdorësh. Topi mund të ishte futur në zonë nga Bruno Fernandes, por ata refuzuan ta bënin. Nëse e aktivizon, duhet ta shfrytëzosh! Edhe në goditjet standarde ai mbetet një kërcënim i madh për Portugalinë. Mos ia jep topin 30 metra larg portës, sepse kjo nuk është më pika e tij e fortë. Dërgoja topin në zonën e penalltisë, aty ku ai vazhdon të jetë shumë efektiv”, shtoi ai.

Një mendim të ngjashëm shprehu edhe legjenda portugeze Ricardo Quaresma, i cili foli në një podcast së bashku me Rúben Dias pas ndeshjes.

“Në mesfushë kemi lojtarë të shkëlqyer, shumë talent, por në këtë Kupë Bote ishin shumë, shumë të dobët. Edhe sulmi ishte në të njëjtin nivel, ndërsa mbrojtja dukej e humbur. Roberto Martínez nuk më ka frymëzuar kurrë besim. Duhet ta luajmë futbollin me shumë më tepër kënaqësi. U eliminuam me kombëtaren që të gjithë e quanin ‘skuadra më e mirë në histori’”, tha ai.

Më herët, edhe Thierry Henry kishte lënë të kuptohej se vetë Ronaldo ishte pjesë e problemit, por pas eliminimit të Portugalisë është e qartë se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi të.

Kështu, një nga legjendat më të mëdha të futbollit botëror i dha fund karrierës së tij ndërkombëtare me një zhgënjim të madh./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement