Micah Richars i ‘godet’ keq kritikët e Cristiano Ronaldos - Gazeta Express
string(55) "micah-richars-i-godet-keq-kritiket-e-cristiano-ronaldos"

Futboll

Gazeta Express

07/07/2026 18:00

Micah Richars i ‘godet’ keq kritikët e Cristiano Ronaldos

Futboll

Gazeta Express

07/07/2026 18:00

Micah Richards ka dalë në mbrojtje të Cristiano Ronaldos pas eliminimit të Portugalisë nga Kupa e Botës, duke pretenduar se ekziston një “agjendë” kundër ish-yllit të Real Madridit dhe Manchester Unitedit.

Ëndrra e Ronaldos për të fituar trofeun më të madh në futboll mori fund në Dallas, ku Portugalia u eliminua nga Kupa e Botës e kësaj vere.

Mikel Merino, i cili zëvendësoi Dani Olmon në minutën e 85-të të ndeshjes së fazës së 1/8-ës së finales, shënoi golin dramatik të fitores në kohën shtesë, duke i siguruar Spanjës një vend në çerekfinale, ku do të përballet me Belgjikën të premten (10 korrik).

Nga ana tjetër, Portugalia u eliminua për herë të tretë në fazën eliminatore të një turneu madhor nga Spanja, ndërsa kjo ishte edhe ndeshja e fundit e Cristiano Ronaldos në një Kupë Bote.

Duke folur pas ndeshjes, 41-vjeçari konfirmoi se kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit në këtë kompeticion.

“Jam i trishtuar që po largohem kështu, por kam dhënë gjithçka, gjithmonë kam dhënë maksimumin. Largohem me ndërgjegje të pastër. Ky është futbolli, kjo është jeta e një futbollisti. Ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet. Duhet të vazhdosh përpara. Kjo ishte Kupa ime e fundit e Botës, por për pjesën tjetër do të ketë kohë të mendoj, të jem me familjen time dhe të mos marr vendime në momentet kur emocionet janë të forta”, tha Ronaldo.

Në total, Ronaldo e mbylli karrierën e tij në Kupat e Botës me 11 gola në gjashtë turne, ku dhjetë prej tyre i shënoi në fazën e grupeve.

Goli i tij i vetëm në fazën eliminatore erdhi javën e kaluar kundër Kroacisë.

Sulmuesi realizoi tre gola në këtë edicion të Kupës së Botës, por disa analistë kanë kritikuar kontributin e tij, veçanërisht në ndeshjen ndaj Spanjës, ku ai preku topin vetëm 19 herë.

Duke folur në podcastin “The Rest Is Football” pas eliminimit të Portugalisë, ish-reprezentuesi i Anglisë, Micah Richards, akuzoi kritikët e Ronaldos për hipokrizi.

“Nuk më pëlqen kjo shpifje ndaj Ronaldos. Aspak. Jam dakord që ai është një nga lojtarët më të mëdhenj që ka luajtur ndonjëherë dhe që nga fillimi i turneut më duket sikur ekziston një agjendë kundër tij. Sigurisht që ai nuk do të vrapojë si një djalosh i ri, por fakti që është ende në Kupën e Botës, luan në këtë nivel dhe shënon gola… po, statistikat nuk janë perfekte, por mendoj se mënyra si njerëzit flasin për Ronaldon dhe Messin është shumë hipokrite. Pavarësisht nëse të pëlqen Ronaldo apo Messi, ne e dimë se Messi nuk vrapon më si dy apo tre vite më parë. Megjithatë, ne admirojmë gjeniun që ai i sjell ekipit, statistikat e tij edhe kur ecën në fushë dhe mënyrën si zgjohet sapo topi shkon te ai. Edhe Ronaldo nuk ka kohë që nuk vrapon si më parë, por lëvizjet e tij brenda zonës vazhdojnë të jenë të jashtëzakonshme”, u shpreh Richards.

Alan Shearer u pajtua me Richardsin, duke shtuar: “Është shumë e vështirë të kritikosh një gjigant të futbollit dhe gjithçka që ai ka arritur. Rekordet e tij janë thjesht të pabesueshme”./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement