Rohde: Qëllimi i marrëveshjes finale është njohja reciproke, për Asociacionin s'është pozicion i mirë të thuhet vetëm jo, presim propozime nga Kosova - Gazeta Express
string(145) "rohde-qellimi-i-marreveshjes-finale-eshte-njohja-reciproke-per-asociacionin-seshte-pozicion-i-mire-te-thuhet-vetem-jo-presim-propozime-nga-kosova"

Lajme

Gazeta Express

16/02/2022 12:13

Rohde: Qëllimi i marrëveshjes finale është njohja reciproke, për Asociacionin s’është pozicion i mirë të thuhet vetëm jo, presim propozime nga Kosova

Lajme

Gazeta Express

16/02/2022 12:13

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur për të gjitha çështjet e rëndësishme që e preokupojnë çdo qytetarë të Kosovës, duke filluar nga dialogu me Serbinë, Asociacioni, Manastiri i Deçanit, reformën në drejtësi e deri tek shtrenjtimi i çmimit të energjisë. Për finalen me Serbinë, Rohde thotë se duhet të mbyllet me njohje të ndërsjellë pasi nuk imagjinohet që dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën të futen në BE. Diplomati gjerman teksa flet për Asociacionin thekson se po presin propozime në tavolinë nga Kosova, pas sipas tij, nuk është pozicion i mirë të thuash vetëm jo. Çmimet e energjisë, thotë Rohde, janë rritur gjithandej botës dhe se s’mund të pritet që të mos ndryshojnë vetëm në Kosovë, edhe pse potencon se shtrenjtimi i rrymës është një fakt i dhimbshëm. Ambasadori në këtë intervistë ka folur edhe për vizat, kritikat e presidentes Osmani drejt BE-së dhe gjuhën e përdorur nga Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, ndaj mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Intervistoi: Besnik Velija

Lexo Edhe:

Gazeta Express: Z. Ambasador, Ju faleminderit që pranuat ftesën për këtë intervistë. Do të doja që intervistën ta filloj me dialogun më mes të Kosovës dhe Serbisë dhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kosova dhe Serbia janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare. Ndërkohë në botë shfaqen kriza të herëpashershme, si kjo në Ukrainë, që marrin vëmendjen ndërkombëtare dhe e vendosin çështjen e dialogut diku poshtë listës së prioriteteve. A mund të presim një “mjaft është mjaft” nga Perëndimi për Prishtinën dhe Beogradin, pasi procesi nuk do të zgjasë pafundësisht, apo jo?

Amb. Jorn Rohde: Nuk mendoj. Ne para rreth dy javëve kishim Përfaqësuesin Special të BE-së z. Lajçak, bashkë me kolegun e tij amerikan Gabriel Eskobar për vizitë dhe jemi plotësisht në të njejtën linjë me ta. Javën e kaluar e kishim këtu edhe të Dërguarin e Posaqëm për Ballkanin nga Mbretëria e Bashkuar, por për ta bërë të qartë ne nuk jemi ulur në ulësen e drejtuesit. Aty janë të ulur hisedarët, do të thotë Kosova dhe Serbia dhe ato duhet të vazhdojnë. Ka shumë çështje, të cilat kërkojnë zgjidhje dhe janë të rëndësishme për qytetarët si p.sh. çështja e targave për të cilën ka një grup punues që me lehtësimin e BE-së po punon për një zgjidhje të përhershme. Pra nuk mendoj se vetëm për shkak se kryetitujt janë fokusuar në Ukraninë, Ballkani Perëndimor është më pak i rëndësishëm. Përkundrazi, për ne është shumë i rëndësishëm. E kemi parë këtë edhe në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së re gjermane. Por po e përsëris: drejtuesit janë hisedarët kryesorë, pra Kosova dhe Serbia, të cilat duhet të merren vesh për çështje të ndryshme që janë në në tavolinë.

Gazeta Express: Pra Ju nuk kërkoni me ngulm të arrihet një marrëveshje finale sa më shpejtë të jetë e mundur?

Amb. Jorn Rohde: BE është lehtësues në dialog. Nëse më pyesni mua personalisht, unë do të doja që marrëveshja të arrihet sot, më mirë se nesër, ashtu siq do të doja të bëhet edhe liberalizimi i vizave. Këtë e kemi bërë të qartë prej kohësh, por kjo nuk varet nga ne, sepse ne jemi lehtësues. Janë qeveritë e Kosovës dhe Serbisë ato që duhet të merren vesh dhe ne përpiqemi ta çojmë procesin përpara, sepse vetëm kur të ketë përparim, hapet rruga për integrim në BE dhe në strukturat euroatlantike.

Gazeta Express: Ambasadorja e Francës ka përmendur një kornizë kohore lidhur me arritjen e marrëveshjes, periudhën ndërmjet vitit 2022 dhe 2024, pasi është një periudhë kur nuk do të ketë zgjedhje në Kosovë dhe Serbi. A e shihni të mundur arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në periudhën 2022-2024, pasi pas prillit parashikohet të jetë një periudhë pa zgjedhje të reja?

Amb. Jorn Rohde: Me sa di unë, në Kosovë nuk do të mbahen zgjedhje për tre vitet e ardhshme, ndërsa në Serbi do të ketë zgjedhje më 3 prill. Mandej në demokraci asnjëherë nuk dihet se kur mund të ketë zgjedhje të reja, por është mundësi e mirë që të dyja palët të vendosin kapitalin e tyre politik në këto bisedime. Kjo për shkak se mendoj që njerëzit në të dy shtetet presin përparim që ua lehtëson atyre jetën, si p.sh. kalimi kufitar. Të gjitha çështjet që janë në tavolinë janë të ndërlidhura me në një farë mënyre apo tjetër, me një marrëveshje të qëndrueshme në mes të dy vendeve.

Gazeta Express: A mendoni se ngjarjet si kjo në Ukrainë janë një dëshmi e fortë për Kosovën dhe Serbinë se duhet të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur dhe të lëvizin drejt BE-së dhe NATO-s, pasi duket se Rusia synon të destabilizojë vendet jo anëtare të NATO-s?

Amb. Jorn Rohde: Situata globale, siç e përmendët me të drejtë edhe ju, aktualisht është shumë fragjile. Veçanërisht situatat në Ukrainë, ku po shohim përpjekje shumë intensive diplomatike nga të gjithë hisedarët për të siguruar paqe në rajon. E njejta vlenë për Ballkanin Perëndimor, por këtu kemi një situatë krejtësisht tjetër. Kemi trupa të KFOR-it, të cilat e kanë siguruar stabilitetin në 20 vitet e fundit, mandej kemi edhe qëllimin e përbashkët të të gjitha palëve, qoftë Serbisë, Kosovës, apo shteteve të tjera në rajon për t’u bërë pjesë e BE-së dhe mendoj se kjo është shtysa kryesore për të arritur marrëveshje. Thjeshtë, sepse në qoftë se të gjithë e duan të njejtën gjë, duhet të zotohen për qëllmet e njejta: stabilitet, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, prandaj edhe Gjermania dhe shtetet e tjera e kanë nisur Procesin e Berlinit.

Gazeta Express: Të kalojmë tani tek një çështje tjetër. Kohët e fundit është diskutuar shumë për Asociacionin. Megjithatë, palët kanë qëndrime të kundërta për zbatimin. Kosova haptazi refuzon dhe kemi z. Kurti që është përplasur me z. Borell për këtë çështje. Sipas jush, cila është zgjidhja e kësaj çështjeje, pasi ka kohë që ka deklarata, por nuk ka asnjë veprim në terren?

Amb. Jorn Rohde: Zgjidhja është e qartë: Për të arritur përparim, duhet të sjellësh diçka në tavolinë. Ekziston një marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel edhe nga Kosova për të themeluar asociacionin dhe ne presim propozime për këtë çështje. Unë, sikurse edhe të tjerët, kam nënvizuar se askush nuk e dëshiron një Republika Srpska këtu dhe se asociacioni duhet të jetë konform Kushtetutës së Kosovës, por ka shumë mënyra për ta zgjidhur këtë çështje. Ajo që po mungon deri tani është një propozim nga Kosova.

Gazeta Express: Pra Kosova duhet të propozojë diçka…?

Amb. Jorn Rohde: Po. E përsëris: progresi varet nga hisedarët në dialog. Mendoj se të thuash vetëm jo, asnjëherë nuk është një pozicionim i mirë. Sill diçka në tavolinë, pastaj mund të diskutosh!

Gazeta Express: A ka diskutuar Berlini për ndonjë model të mundshëm për Asociacionin se sikur të pritet nga Kosova, gjithmonë në bazë të deklaratave, duket se status-quo do të jetë marrëveshja përfundimtare dhe palët nuk do të pajtohen kurrë?

Amb. Jorn Rohde: Kosova është një shtet sovran dhe varet nga Kosova, nëse do të sjell një propozim që është në përputhje me Kushtetutën dhe marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën.

Gazeta Express: Pra thoni se për t’u zbatuar marrëveshja për asociacionin, duhet që të sillet diçka në tavolinë?

Amb. Jorn Rohde: Qartazi, po.

Gazeta Express: Në ndërkohë, zyrtarë të partisë kryesore opozitare, PDK-së, kanë përmendur shkëmbimin e territoreve në vend të Asociacionit si zgjidhje më të mirë për Kosovën, pasi që në përgjithësi ekziston frika se Asociacioni do ta bëjë Kosovën Bosnjë të dytë. Cili është komenti juaj për këtë, a është e mundur?

Amb. Jorn Rohde: Kjo çështje është përmendur disa herë dhe po përsëritet herë pas here. Gjermania dhe BE-ja, siq e dini, e kanë një qëndrim të qartë lidhur me këtë: prekja e kufijve do të hapte Kutinë e Pandorës. Vitin e kaluar dëgjuam disa thashëthëme, pamë edhe dokumente jo zyrtare lidhur me këtë dhe ne e kemi qartësuar qëndrimin tonë. Për ne shkëmbimi i territoreve është diçka që nuk mund të bëhet. Kaq. Këtë ne e kemi qartësuar disa herë. Kancelarja Merkel në vitin 2019 dhe e kemi deklaruar sërish qëndrimin tonë vitin e kaluar.

Gazeta Express: Çfarë duhet të bëhet pra për të zbatuar marrëveshjen e asociacionit…?

Amb. Jorn Rohde: Shkëmbimi i territoreve nuk ka të bëjë asgjë me asociacionin.

Gazeta Express: Por ata thonë se shkëmbimi i territoreve do të ishte…

Amb. Jorn Rohde: Kush janë ata. Qeveria e Kosovës është kundër shkëmbimit të territoreve.

Gazeta Express: Jo, kjo ka ardhur nga ana e opozitës, sipas të cilëve në vend të asociacionit, më mirë do të ishte shkëmbimi i territoreve.

Amb. Jorn Rohde: Unë nuk e di që ky është qëndrim i një partie politike opozitare tani. Mund të ketë qënë në të kaluarën ndoshta, por nuk kam parë deklarata aktuale në këtë drejtim.

Gazeta Express: Pra implementimi i asociacionit nuk ka për qëllim të përsëritet ajo që po ndodh në Bosnje dhe Herzegovinë?

Amb. Jorn Rohde: Siq e thashë, varet nga qeveria sovrane e Kosovës që të sjell një propozim në tavolinë, në mënyrë që kjo të diskutohet. Ka edhe shumë çëshjte të tjera në tavolinë, si çështja e personave të zhdukur, asociacioni, menaxhimi i integruar i kufijve, targat e çka jo tjetër. Por nuk është detyrë e jona të sjellim çështje në tavolinë. Është çështja e energjisë në Veri dhe e përsëris: varet shumë nga hisedarët në këtë proces. BE është vetëm lehtësuese dhe ne i përkrahim plotësisht përpjekjet e BE-së.

Gazeta Express: A duhet BE t’i ofrojë Kosovës diçka në mënyrë që të zbatohet marrëveshja për asociacionin?

Amb. Jorn Rohde: BE është lehtësuese (e dialogut). Është detyrë e Kosovës të vendosë se çfarë dëshiron të bëj, apo çfarë jo. Ne duam të ndërmjetësojmë, sepse e kemi një qëllim të përbashkët: që hisedarët në dialog të arrijnë një marrëveshje finale, e cila në fund – dhe për ne kjo është e qartë – do të sjell një njohje reciproke. Ky është qëllimi i marrëveshjes finale, sepse për ne është e paimagjinueshme që të bëhen anëtare të BE-së dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën.

Gazeta Express: Për sa i përket ndërmjetësimit të dialogut. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistën e saj të fundit ka kritikuar hapur BE-në, pasi sipas saj, Brukseli po e trajton Kosovën në mënyrë të pabarabartë. Osmani tha se nuk mund të arrihet një marrëveshje e mirë, përderisa palët trajtohen në mënyrë të pabarabartë dhe ndërmjetësi nuk ka kredibilitet. A po e llaston BE-ja Serbinë, siç thotë presidentja?

Amb. Jorn Rohde: Ne kemi besim të plotë tek z. Lajçak, si lehtësues i dialogut. Këtë e kemi përsëritur disa herë. BE përmes z. Lajçak po e bën më të mirën e mundshme për të arritur përparim në dialog, prandaj edhe ekziston një diplomaci intensive në mes të të dyja palëve. Por varet nga palët, se a do të arrijnë përparim në fund, sepse atyre iu duhet të vendosin. Ne nuk propozojmë, por lehtësojmë.

Gazeta Express: Si e komentoni deklaratën e Presidentes Osmani…?

Amb. Jorn Rohde: Nuk është detyrë e imja të komentoj qëndrimet e akterëve politikë. Çfarë mund të them është që nuk mund të negociosh, nëse nuk sjell propozime në tavolinë për çfarëdo çështje.

Gazeta Express: Kryeministri Kurti ka marrë një mandat të fortë nga zgjedhjet e vitit të kaluar. Ndërsa në të kaluarën e tij politike njihet për kundërshtimin e tij ndaj dialogut dhe Asociacionit, ndërkohë që aktualisht janë këto dy çështje me të cilat ballafaqohet. Për të ecur përpara me dialogun është përmendur një modifikim i koalicionit qeverisës, por nuk ka lëvizje në atë drejtim. Ndërkohë sa herë që Kosova fillon të mos pajtohet për diçka që kërkojnë ndërkombëtarët, Gjermaninë, Francën, SHBA-të, përmendet rrëzimi i qeverisë. Duket pak si konspiracion, por në gjithë situatën politike, a e shihni të mundur që zoti Kurti të japë dorëheqje, ta çojë vendin në zgjedhje të reja dhe t’ia lërë barrën e Asociacionit dikujt tjetër?

Amb. Jorn Rohde: Kjo është një pyetje shumë hipotetike. Qeveria është zgjedhur për një mandat katër-vjeçar dhe me sa shoh unë, ekziston një shumicë e fuqishme në parlament. Njerëzit presin nga qeveria që ajo të përmushë detyrat e saj. Mendoj se një nga arsyet pse patëm një mandat të fuqishëm, ishte fakti që kishim shumë palë zgjedhje në të kaluarën, shumë premtime dhe të gjitha çështjet që janë nisur nga qeveritë e kaluara prej një kohe të gjatë – dialogu për normalizimin e marrëdhënieve shembull po vazhdon nga viti 2013 – shumë marrëveshje nuk janë zbatuar, e kështu me radhë. Detyra e qeverisë është të qeveris dhe unë nuk do të spekuloja për çështjte hipotetike, sepse nuk mund ta parashikoj të ardhmen. Mendoj se një mandat i fuqishëm është një mundësi unike për të qeverisur, nëse e keni një shumicë, sepse mund të implementosh politikat tua. Sikurse me të gjitha qeveritë e tjera, Gjermania edhe kësaj qeverie i qëndron përkrah (qeverisë aktuale) si partnere. Edhe Ju i njihni çështjet e deklaruara për luftimin e korrupcionit dhe krimit, zhvillimin e një ekonomie të fortë dhe prosperuese, në të arritjen e të gjitha këtyre Gjermania është një partnere.

Gazeta Express: Ndërkohë, nuk është vetëm Asociacioni. Kemi edhe Manastirin e Deçanit. Ju si QUINT keni nxjerrë tre komunikata të përbashkëta brenda vitit 2021 duke kërkuar zbatimin e vendimit. Z. Kurti nuk ka treguar shenja se do të ecë përpara. Ai tha se duhet të shqyrtohen të gjitha kontestet historike dhe politike lidhur me Manastirin, ndërsa për vendimin e ka fajësuar Gjykatën Kushtetuese. Çfarë na thotë kjo për Kosovën si shtet?

Amb. Jorn Rohde: Gjithçka është thënë në deklaratat nga QUINT-it. Ju i përmendët disa dhe e fundit më duket se është lëshuar pasi Gjykata Kushtetuese e publikoi një vendim lidhur me moszbatimin e vendimeve të saj, duke thënë se vendimet nuk janë zbatuar që prej marrjes së tyre, para rreth pesë viteve. Pra deklaratat tona janë reagime ndaj moszbatimit nga ana e disa qeverive të një vendimi kushtetues. E njejta Gjykatë Kushtetuese është përmendur nga disa qeveri, kur bëhet fjalë për të arsyetuar moszbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mandej, kur nuk pëlqehet një vendim, akuzohet gjykata. Nëse i hidhni një shikim deklaratës së fundit të QUINT-it, ne kemi theksuar se kjo e minon besueshmërinë e qeverisë, e secilit pretendim të qeverive për të zbatuar sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit duhet të implementohet, pavarësisht, nëse ju pëlqejnë vendimet e gjykatës, apo jo. Elementi tjetër këtu: zbatimi i një vendimi të gjykatës, i cili i prek marrëdhëniet me pakicat do të ishte gjithashtu një hap i madh drejt pajtimit me pakicat. Sepse kur e zbaton një vendim të tillë, kjo gjithashtu tregon respektin për sundimin e ligjit, pavarësisht, nëse bëhet fjalë për shumicën, apo pakicën. Prandaj QUINT-i e kërkon implementimin, sepse bëhet fjalë për besueshmërinë e shtetit. 

Gazeta Express: Përderisa ka çështje madhore që aktualisht e kanë bllokuar dialogun, a mendoni se do të ishte një ide e mirë, për shembull, që Asociacioni të diskutohej në fund, në kuadër të marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, në mënyrë që të zhbllokoni procesin?

Amb. Jorn Rohde: Që të jemi të qartë: disa gjëra nuk duhet të diskutohen në Bruksel. Ky është një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që nuk ka asgjë të bëjë me Brukselin dhe duhet të zbatohet, nëse largohen pengesat që nuk kanë asgjë të bëjnë me Brukselin. E ndonjëherë hedhen pengesa që mandej shkaktojnë bllokada në Bruksel. Ka çështje të tjera mandej që duhet të diskutohen në Bruksel. Ju e përmendët asociacionin, apo menaxhimin e kufijve, apo ka shumë çështje të tjera që nuk janë implementuar nga asnjëra palë. Prandaj mendoj se është detyrë e palëve të ofrojnë propozime dhe të arrijnë progres që do të rezultonte në lehtësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.

Gazeta Express: Kur të jemi në marrëveshjen përfundimtare. Ditë më parë, presidenti Biden i shkroi një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar përparim në dialog, dialog që duhet të përfundojë me njohje reciproke. Ndërkohë për këtë çështje ka kritika ndaj BE-së, sepse Brukseli nuk e përmend në mënyrë eksplicite njohjen reciproke. A duhet të ketë njohje reciproke në fund të procesit dhe nëse jo, a mendoni se i gjithë procesi është në rrezik?

Amb. Jorn Rohde: Ne e kemi bërë të qartë që për ne marrëveshja gjithpërfshirëse nënkupton edhe njojhen finale reciproke. Siq e dini, disa shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën, kjo është arsyeja pse ekziston një terminologji ndryshe, por nuk shoh anjë rezultat përfundimtar që do të ishte i ndryshëm nga njohja reciproke.

Gazeta Express: Kur Gjermania kishte kryesimin e Bashkimit Evropian, në Kosovë kishte shumë shpresa se kancelarja Merkel do të bënte diçka me liberalizimin e vizave. Kosovarët, megjithatë, mbeten populli i vetëm i izoluar në Evropë. A mund të presim të njëjtin angazhim nga zoti Scholz si kancelarja Merkel dhe a mendoni se Macron do të ndryshojë qëndrim dhe do t’i japë Kosovës dritën jeshile për viza?

Amb. Jorn Rohde: Sërish, një pjesë e pyetjes është shumë hipotetike dhe unë nuk mund të flas për të tjerët. BE ka 27 shtete anëtare dhe Gjermania e ka vendosur çështjen e liberalizimit të vizave në tavolinë. Ne mbetemi të përkushtuar për këtë. Qeveria e re gjermane në marrëveshjen e koalicionit e ka nënvizuar qartë se dëshiron ta çojë përpara çështjen e liberalizimit të vizave. Ne mendojmë se kjo është vonuar, edhe Komisioni mendon se kjo është vonuar. Ne vërtetë shpresojmë që të shohim këtë çështje të realizohet shumë shpejtë, unë personalisht do të doja që kjo të ndodhte që nesër, por siq e dini ka disa shtete anëtare të BE-së që janë akoma skeptike dhe të cilat duhet të binden. Mirëpo për ne kjo është shumë e qartë: Gjermania dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të ngushta dhe ne nuk shohim më asnjë nevojë që kjo çështje të vonohet më shumë. Kosova është i vetmi vend në rajon që akoma nuk e gëzon liberalizimin e vizave.

Gazeta Express: Ambasadorja franceze e ka përmendur migrimin si rrezik. Kjo sipas saj është arsyeja pse Franca heziton të çoj përpara këtë çështje. Kohëve të fundit ka pasur një numër shumë të madh të kosovarëve që kanë aplikuar për viza në Ambasadën Gjermane. A mendoni se ekziston rreziku që kosovarët ta braktisin Kosovën, sapo të bëhet liberalizimi i vizave?

Amb. Jorn Rohde: E thatë edhe vetë: së pari nuk është vetëm Kosova. Në të gjitha shtetet e  Ballkanit Perëndimor ka një numër të madh të njerëzve të parashtrojnë kërkesa për viza për bashkim familjar, për nisje të punësimit. Pra nëse i shohim shifrat, e kemi një situatë pothuajse të njejtë në gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në Gjermani ka një diasporë të madhe kosovare, mendoj se janë rreth një gjysmë milioni pjesëtarë. Para gjashtë viteve ka pasur një krizë refugjatësh dhe poashtu edhe shifra të mëdha të migrimit nga Kosova, por kjo nuk qëndron më. Ekziston migrimi legal që është krejtësisht në rregull. Numri i aplikuesve në ambasadë, siq e përmendët është i lartë. Por për ta qartësuar, meqë ne kemi marrë tejet shumë pyetje e kërkesa lidhur me shifrat e larta të aplikuesve: po, ka një kërkesë të madhe për viza me qëllim nisjen e punësimit, terminet për aplikim për të cilat jepen me anë të një shorti. Ka një numër të caktuar të vizave për çdo muaj dhe ata aplikues që nuk kanë pasur sukses këtë muaj, aplikojnë sërish në muajin tjetër dhe nuk qëndron pretendimi se çdo muaj kemi nga 50.000 aplikues të rinj. Është njejtë sikurse në procesin e llotarisë, nëse nuk ke pasur fat sot, provon përsëri. 

Gazeta Express: Dua të marr qëndrimin tuaj në lidhje me zgjedhjet serbe që do të mbahen në prill. A mendoni se Kosova duhet të lejojë organizimin e tyre edhe në Kosovë dhe a keni diskutuar ndonjë modalitet, apo kërkoni nga OSBE-ja që t’i organizojë ato si në të kaluarën?

Amb. Jorn Rohde: Së pari, ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë: është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje. Edhe Gjermania ua mundëson vendeve të tjera të mbajnë zgjedhjet e tyre, jo vetëm nëpër ambasada, por edhe në forma të tjera, siq është rasti me zgjedhjet turke, apo rumune . Ka shumë shembuj ku vende të ndryshme e lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të vendeve të tjera në shtetin e tyre, por që ato duhet të jenë në përputhje me procedurat. Është me rëndësi që të ushtrohet e drejta për të votuar. Ne shpresojmë se do të ketë një marrëveshje, sepse në të kaluarën ka pasur një marrëveshje përmes OSBE-së. OSBE mund të veprojë vetëm me pëlqimin e të dyja palëve, do të thotë Kosovës dhe Serbisë. Pra ne shpresojmë se do të ketë një marrëveshje të tillë dhe do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Gazeta Express: A e vëzhgoni punën që po bëhet për reformën në drejtësi në përgjithësi dhe për Vettingun? Në dhjetor Komisioni i Venecias lëshoi ​​disa vërejtje për Projektligjin për Këshillin Prokurorial. Ndërkohë, opinioni për Vettingun pritet të jepet në muajin mars. A jeni përfshirë në këtë proces dhe cili është komenti juaj për ata që kanë frikë se reforma në drejtësi dhe Vettingu do të përdoren për hakmarrje politike?

Amb. Jorn Rohde: Përgjigja ime në këtë është e shkurtër: Qeveria ka kërkuar nga Komisioni i Venecias një mendim rreth hapave të propozuar për reforma. Gjermania e mbështet plotësisht forciminin e sundimit të ligjit, qoftë në Kosovë, apo në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Nëse Komisioni i Venecias e paraqet mendimin e tij rreth hapave të propozuar dhe thotë se është në rregull, mendoj se është për t’u këshilluar që ky mendim të merret parasysh. Kjo, sepse Komsioni i Venecias për mua përfaqëson një standard të artë, ai ka ekspertë me shumë përvojë. Megjithse akoma nuk e kam parë mendimin e Komisionit, unë do të këshilloja qeverinë të pres derisa ai mendim të prezantohet dhe të shfrytëzojë këtë përvojë të rëndësishme për të zbatuar rekomandimet e tij.

Gazeta Express: A keni qenë të përfshirë Ju në këtë proces?

Amb. Jorn Rohde: Në mënyrë të drejtëpërdrejtë, jo. Ne si donator dhe partner i fuqishëm i Kosovës jemi aktivë në këtë fushë dhe i përcjellim zhvillimet. Siq u shpreha edhe më parë, mbështetja jonë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupcionit është me rëndësi edhe për të ruajtur qëllimin e rëndësishëm të qeverisë për tërheqje të investitorëve. Kjo mund të arrihet, nëse ekziston një sundim i ligjit të fortë dhe stabil dhe luftohet korrupcioni. Kosova ishte vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili këtë vit u ngjit më lart në listën e vendeve që luftojnë korrupcionin. Kjo është një shenjë shumë inkurajuese dhe unë, por edhe të tjerët e kanë thënë këtë edhe publikisht me ç’rast mesazhi ynë kryesor ishte që ky është një hap i mirë në drejtimin e duhur. Vazhdoni punën!

Gazeta Express: Ju jetoni në Kosovë dhe përballeni çdo ditë me ngjarjet këtu. A keni koment për punën njëvjeçare të Qeverisë Kurti, si e shihni reagimin e Qeverisë për krizën energjetike, ndërkohë që kemi protesta për çmimin e energjisë. Mendoni se qeveria u vonua në marrjen e masave parandaluese, duke qenë se Shqipëria kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në verën e furnizimit me energji?

Amb. Jorn Rohde: Së pari, çdo shtet në Evropë aktualisht është në një pozitë të ngjashme. Edhe ne në Gjermani kemi rritje të mëdha të çmimeve të energjisë. Ato janë rritur për rreth 50% deri në 80%. Kosova ka rritjen më të vogël të çmimeve të energjisë në Evropë. Kur lexoj komente të politikanëve që thonë “Në vitin 2017 unë e kam parandaluar ZRRE-në që të ngris çmimet”, kjo tregon se mbase në vitet e fundit çmimet për shpenzimin e energjisë nuk janë përshtatur. Për mua nuk është e mundur që të shoh vetëm Kosovën, si shtetin e vetëm, ku çmimet e energjisë nuk ndryshojnë. Është e qartë që kjo nuk është lehtë për qytetarët, dhe çmimet duhen të përshtaten ashtu që një numër i madh i qytetarëve të mos i ndiejnë aq shumë. Miqëpo për mua është gjithashtu e qartë që çmimet e energjisë nuk mund të mbeten të njejta në Kosovë, ndërkohë që rriten në 50 shtete të tjera evropiane. Duhet të ketë përshtatje. Kjo është e dhimbshme, por e nevojshme, sepse në anën tjetër edhe prodhuesit e energjisë duhet të gjenerojnë të ardhura, të bëjnë invesime dhe modernizime. 

Gazeta Express: Një pyetje e fundit: Ditët e fundit kemi parë një reagim shumë të ashpër të zotërisë së parë, Prindon Sadriu, ndaj mediave kosovare, pas raportimeve për shpenzimet e udhëtimit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si deputete. Z. Sadriu i quajti mediat “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Ka pasur reagime të shumta nga organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, ata i kanë shkruar edhe një letër të hapur kryeministrit Kurti dhe presidentit të Kosovës, për të kërkuar nga bashkëpunëtorët e tyre politikë që të ndalojnë kampanjën e linçimit kundër gazetarëve. Cili është komenti juaj për këtë?

Amb. Jorn Rohde: Ne në Gjermani shpeshherë e theksojmë se mediat në një demokraci përbëjnë pushtetin e katërt, krahas legjislativit dhe ekzekutivit dhe gjyqësorit. Mediat e pavaruara pa dyshim paraqesin shenjat dinamike të një demokracie. Ju i përmendët komentet. Është shumë me rëndësi që mediat të mbeten të pavarura. Përdryshe nuk do të komentoja deklaratat individuale. Por komentet që mediat e pavarura duhen respektuar të duhet të ruhen, mendoj se i thonë të gjitha./GazetaExpress/